Izraeli, në vjeshtë sulm ndaj Iranit

10/08/2012 16:20

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mund të urdhërojë në vjeshtë një sulm ajror kundër impianteve bërthamore iraniane.

Lajmin e bën të ditur shtypi izraelit, sipas të cilit kreu i qeverisë është i bindur për planin, pavarësisht skepticizmit në radhët e krerëve ushtarakë dhe atyre të inteligjencës.

Ndërkohë, një apel u është bërë pilotëve luftarakë izraelitë, që të refuzojnë pjesëmarrjen në një sulm eventual ndaj Iranit, nga një faqe interneti.

Sipas faqes në fjalë, një sulm i tillë mund të rezultojë joproduktiv në aspektin politik dhe atë ushtarak, vlerësojnë menaxherët e faqes së internetit.

Edhe në fillim të muajit, kryeministri Netanyahu deklaroi se garancitë e Shteteve të Bashkuara për ndërhyrje ushtarake nuk janë të mjaftueshme që Irani të heqë dorë nga arma bërthamore.

Netanyahu tha se iranianët besojnë se bashkësia ndërkombëtare nuk ka vullnetin për ta ndaluar Iranin, pas takimit në Jeruzalem me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Leon Pannetta.

“Ju deklaruat disa muaj më parë se kur gjithçka të dështojë, SHBA do të veprojë, por këto deklarata ende nuk i kanë bindur iranianet t’i japin fund programit të tyre”, deklaroi Netanyahu.

Ndërsa Panetta, gjatë turit njëjavor në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, përsëriti se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë Iranin të sigurojë armën bërthamore, por sipas tij ndërhyrja ushtarake duhet të mbetet mundësia e fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA