Ishujt, Japonia tërheq ambasadorin në Seul

10/08/2012 21:55

Japonia ka thirrur “në mënyrë të përkohshme dhe të menjëhershme” ambasadorin e saj në Seul, Masatoshi Muto.

Ky veprim ka ardhur si përgjigje ndaj vizitës së presidentit koreano-jugor Lee Myung Bak në ishujt Dokdo, sovraniteti i të cilëve pretendohet nga Tokio.

Thirrja e ambasadorit është bërë nga ministri i Jashtëm, Koichiro Gemba, i cili më herët kishte thirrur në zyrën e tij për sqarime ambasadorin e Seulit në Japoni, Shin Kak Soo.

Shefi i diplomacisë japoneze kishte protestuar në mënyrë zyrtare ndaj veprimit të Lee Myung Bak, i cili e zhvilloi vizitën në ishuj pavarësisht se Tokioja kishte paralajmëruar për “dëme serioze” në marrëdhëniet dypalëshe.

Ishujt njihen si Dokdo në Korenë e Jugut ose Takeshima në Japoni. Secili prej dy kombeve aziatike ka pretendime historike mbi këto ishuj dhe çështja ka dëmtuar vazhdimisht marrëdhëniet midis dy shteteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA