Interi rrezikoi shumë kualifikimin në raundin e katërt të Europa League, teksa u befasua me rezultatin 0-2 nga kroatët e Hajdukut të Splitit, në ndeshjen e kthimit të zhvilluar të enjten në “San Siro”.
Me ndeshjen e parë të përfunduar me fitoren 3-0 të zikaltërve në transfertë, ekipi i Stramaccioni u duk tejet i relaksuar dhe i la terren të lirë rivalëve, te nenvleresuar dukshem.
Miqtë, që kishin ardhur në Milano së bashku me pesë mijë tifozë, nga 25 mijë që ishte numri total i të pranishmëve në stadium, realizuan në mesin e pjesës së parë nëpërmjet një penalltie.
Pas intervalit, presioni i kroatëve bën që ata të gjejnë edhe golin e dytë, në të 58’, kur Vukoviç, nëpërmjet një rrotullimi fantastik mposhti portierin Handanoviç.
Në 30 minutat e mbetura të lojës, loja bëhet më e fortë dhe zikaltërit krijojnë disa raste, por edhe vuajnë në prapavijë, duke marrë në fund një kualifikim tepër të dyluftuar, në kundërshtim me çdo parashikim të menduar më parë.
Kundërshtari i ardhshëm i Interit, i fundit përpara fazës së grupeve, do të zbulohet në shortin që do të mbahet ditën e premte në mesditë.
Top Channel