Siri, kryengritësit humbin terren në Alepo

09/08/2012 15:50

Kryengritësit sirianë humbën kontrollin në një prej pikave kryesore strategjike në lagjen Salah al-Din në Alepo, ku prej disa ditësh janë përqendruar luftimet pas ofensivës së ushtrisë së rregullt.

Ndërkohë, mediat ndërkombëtare raportuan se të enjten, qyteti i dytë më i madh i Sirisë dhe qendra më e rëndësishme urbane e veriut u vendos nën një fushatë të re bombardimesh, me trupat qeveritare që tentuan njëkohësisht nga toka të ripushtojnë zonat e mbajtura ende nën kontroll nga trupat rebele.

Përshkallëzimi i luftimeve ndodh ndërsa Irani është duke realizuar një nismë personale, për mbajtjen e një mbledhje ndërkombëtare rreth krizës së Sirisë.

Burime brenda kryengritësve, bënë me dije gjatë së enjtes se “pavarësisht se disa zona kyçe të Alepos janë ende në duart e Ushtrisë së Lirë Siriane, trupat e Assad kanë një avantazh të dukshëm në armatime”.

Megjithatë, komandanti rebel këmbënguli se “do të vazhdojmë të rezistojmë dhe të bëjmë më të mirën tonë për t’i bërë gjallë sa më gjatë ofensivës së ushtrisë”.

Nuk ka bilance të qarta rreth numrit të viktimave që po shkakton kjo luftë civile, por tashmë besohet se shifra e të vrarëve është disa qindra në ditë, ndërsa në total, në 17 muaj luftime, lufta i ka kushtuar jetën 22 mijë sirianëve, me së paku dy milionë të tjerë që kanë braktisur shtëpitë e tyre apo janë shpërngulur në kampe emigrantësh në vendet fqinje.

Irani: Bisedime për zgjidhjen e krizës siriane

Duke hapur konferencën e organizuar për Sirinë, ku merrnin pjesë përfaqësuesit e 29 vendeve, ministri i Jashtëm Iranian, Ali Akbar Salehi tha se dialogu mes dy palëve është zgjidhja e vetme për krizën.

“Kriza në Siri mund të zgjidhet përmes bisedimeve serioze dhe gjithëpërfshirëse mes qeverise dhe grupeve të opozites që gëzojnë mbështetje popullore në Siri,  me qellimin për t’i dhënë fund dhunës”, u shpreh Salehi.

Vendet perëndimore, që nuk marrin pjesë në këtë konferencë shprehën dyshimin për rolin e ndërmjetësit nga Teherani, duke pasur parasysh angazhimin për ta mbajtur në pushtet Bashar Al-Asadin.

Kina, Rusia, Iraku, Pakistani, Jordania dhe India dërguan përfaqësuesit e tyre në konference ndërsa Kuvajti dhe Libani nuk morën pjesë.

Të martën, në Damask, shefi i sigurise kombëtare të Iranit, Saeed Jalili, gjatë takimit me Presidentin Sirian, Bashar al-Assad, e cilësoi Sirinë një pjesë të rëndësishme të aksit të rezistencës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA