Pas lajmit se gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestro konservative ndaj disa prej kompanive të Rezart Taçit dhe të pasurive të paluajtshme të bankës Credins për shkak të një borxhi të pakthyer prej 75 milionë eurosh, marrë për blerjen e kompanisë “ARMO”, ka reaguar vetë biznesmeni.
Deklarata u bë në faqen e internetit të televizionit Albanian Screen, që ka biznesmeni në fjalë. Lajmin e publikuar në media se, gjykata e Tiranës ka vendosur nën sekuestro konservative kompaninë “ARMO” për një borxh të pashlyer prej 75 milionë eurosh ndaj Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, zoti Taçi e cilëson një shpifje dhe pa lidhje me të vërtetën.
“Kompania “ARMO” garanton se nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lidhje apo marrëdhënie financiare me Bankën Ndërkombëtare të Azerbajxhanit. Për rrjedhojë “ARMO” nuk ka asnjë detyrim të pashlyer ndaj këtij institucioni financiar”, thuhet në deklaratë.
“Spekullime të tilla i konsiderojmë si sulme të qëllimshme e të inskenuara posaçërisht për të shkatërruar imazhin e kompanisë “ARMO”, një nga më seriozet në vend, e cila paguan në mënyrë të rregullt të gjitha detyrimet e saj karshi shtetit dhe kontraktorëve”, përfundon deklarata.
Por lajmi i dhënë një ditë më parë edhe nga Top Channel bazohet në këtë vendim të gjykatës së Tiranës, dhënë nga gjyqtari Ilir Çeliku, vendim i cili nuk përmendet në reagimin e biznesmenit Taçi.
Gjykata e Tiranës ka urdhëruar vendosjen e sekuestros konservative pranë Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë dhe vendosjen e sekuestros konservative mbi 85% të aksioneve të shoqërisë “ARMO”, të zotëruara nga shoqëria “AMRA Oil”, me aksioner Rezart Taçin.
Gjykata po ashtu ka kërkuar vendosjen e sekuestros konservative mbi llogaritë bankare të shoqërisë “AMRA Oil”, mbi llogaritë bankare të shoqërisë “ARMO”, mbi pasuritë e paluajtshme të saj dhe vendosjen e sekuestros konservative mbi gjendjen e stokut të saj.
Sekuestroja vendoset për një shume jo më të madhe se 75 milionë euro. Ky vendimi i dhënë nga gjyqtari Ilir Çeliku erdhi pas kërkesës së Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, e cila pretendon se për të realizuar investime në Shqipëri ka depozituar në nëntor të vitit 2008, në llogarinë e bankës Credins shumën prej 75 milionë eurosh.
Gjykata ka provuar se kjo shumë është depozituar në tre këste. Por Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit ka insistuar në kthimin e shumës, pasi pretendon se banka nuk e ka mbajtur si depozitë, por e ka përdorur si kredi për “ARMO”.
Top Channel