UEFA heton Tiranën

07/08/2012 00:00

Pak ditë pas thirrjes dhe kërkesës që bëri federata norvegjeze për
dyshime rreth ndeshjes Alesund-Tirana, e vlefshme për raundin e dytë të
kupës Europa League ka reaguar organi më i lartë i futollit europian,
UEFA, e cila ka bërë të ditur se kjo ndeshje e cila përfundoi me
rezultatin 5-0 është veçuar edhe nga sistemi tyre për monitorimin e
basteve të dyshimta.

Qeveria europiane e futbollit ka angazhuar një nga inspektorët e saj të disiplinës, për t’u marrë me investigime të mëtejshme.

Ndërkohë Federata Norvegjeze e Futbollit ka bërë të ditur se kompania e tyre vendase e lotarive e bllokoi këtë ndeshje kur rezultati shkoi 2-0.

Sipas zyrtarëve të kompasisë së Lotarisë Kombëtare norvegjeze, janë vënë re baste të dyshimta nga vende të ndryshme aziatike, duke përfshirë këtu edhe bastin për rezultat të saktë 5-0. Kjo ndeshje përfundoi në total për të dyja takimet me rezultatin 6-1, për skuadrën Norvegjeze të Alesundit.

Tirana: Mbështesim hetimin

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Klubi i Futbollit Tirana ka konstatuar se kjo akuzë është një vazhdimësi e një fryme të përgjithshme negative e Federatës Norvegjeze kundrejt bardhebluve që ka startuar që në ndeshjen e parë të turit të dytë mes Tiranës dhe Alesundit.

Drejtuesit e klubit bardheblu theksuan se humbja 5-0 erdhi si pasojë e shumë faktoreve që ndikuan negativisht mes të cilave ishte dhe terreni sportiv i ndryshëm nga ai i yni. 

Gjithsesi drejtuesit e Tiranës kanë pohuar se klubi kryeqytetas do të jetë në gadishmëri të plotë për mbarëvajtjen e këtij hetimi.

Madje në deklaratë thuhet se edhe klubi shpreson në zbardhjen sa më shpejt të fakteve si dhe në nxjerrjen përpara drejtësisë  të përgjegjësve të këtij akti në rastin se ka të tillë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta