
Partia Socialiste e cilesoi seancen e djeshme parlamentare të dështuar, si dhe të provokuar e imponuar nga Kryeministri Berisha.
“Zhvilluam një seancë maratonë të provokuar nga Kryeministri i vendit, në mënyrë të njëanshme, të padrejtë dhe abuzive. Diskutuam në një debat shterpë, për një çështje, që dihej se si do të ishte fundi, për një çështje që nuk kishte dy qëndrime, por kishte dy palë. Një palë, grupi parlamentar socialist që kishte zgjedhur rrugën e respektimit të Kushtetutës, zhvilloi një debat me qetësi dhe maturi, me akuza publike të mbështetura në fakte dhe prova konkrete, me argumenta logjike duke përdorur si qëllim të vetëm, reflektimin e përbashkët, në funksion të klimës së bashkëpunimit dhe konsensusit. Pala tjetër përballë, kryeministri i vendit dhe qeveria e tij, që kishin zgjedhur rrugën e forcës, të imponimit dhe të ultimatumit, të reagimit emotiv politik pa argumenta, me shpifje duke patur si qëllim baltosjen dhe fyerjen për kundërshtarin politik. Dje dështoi prova e forcës e Sali Berishës, dështoi qëllimi i tij i mbrapshtë i ndërtuar në funksion të axhendës dhe interesave të tij personale, politike dhe elektorale”, tha deputeti socialiste Fatmir Xhafaj.
Xhafaj tha se socialistet do te mbeshtesin propozimin e referendumit, nese trajtohen 4 çështje: Imuniteti, Reforma në Drejtësi, çështja e importit të plehrave dhe ndalimi i marrëveshjes me Greqinë që cënon kufirin shqiptar.
Sipas tij për amendamentet kushtetuese ka vetëm një rrugë, e ka të qartë neni 177 i Kushtetutës, që në referendum të shkohet përmes votës të dy të tretave të Kuvendit të Shqipërisë.
“Ne nuk duam të çojmë një çështje që nuk është çështje në referendum, siç janë imunitetet, sepse e kemi thënë qartë, sepse ne do t’i votojmë imunitetetet, nuk ka kthim prapa. Shtatori, me amendamentet e tjera në përfundim të debatit, me një tekst të përbashkët do të bëjë të mundur që në Kuvend të ketë një seancë plenare për shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese, por nëse Kryeministri instiston për këtë gjë, natyrisht ne jemi të gatshëm të japim dy të tretat dhe jemi të interesuar ta bëjmë një gjë të tillë, që ta gjykojë publiku shqiptar edhe imunitetet, edhe propozimet tona për drejtësinë edhe cështjen e ndalimit të plehrave edhe cështjen e tërësisë territoriale të vendit, ndalimin e marrëveshjes për cënimin e kufijve detarë”, tha Xhafaj.
Top Channel