
Një prokuror në Moskë ka kërkuar dënimin me tre vjet burg për tre
anëtaret e grupit ‘punk’ Pussy Riot, që prej ditësh është në qendër të
vëmendjes.
Në mbështetje të grupit ka dalë edhe këngëtarja e mirënjohur Madonna, e cila ndodhet në Moskë për një koncert të sajin.
Tre të rejat akuzohen për rrugaçëri dhe për urrejtje fetare, për shkak të lutjes anti-Putin në katedralen e Moskës, në muajin shkurt.
“Shpresoj që gjyqtari të tregojë mëshirë dhe që ato të lirohen së shpejti”, ka thënë Madonna, duke u bashkuar me yjet e tjerë të muzikës që janë rreshtuar përkrah Pussy Riot.
Ndërkohë, ditën e diel një tjetër grup muzikor, pas Pussy Riot, u arrestua në Rusi pasi këndoi një këngë-protestë kundër presidentit Putin. Bëhet fjalë për grupin rep Makulatura, dy anëtarët e të cilit po performonin në parkun Bauman gjatë një festivali rinor.
Kur arritën në këngën e tretë, një nga agjentët e pranishëm u ngjit në skenë dhe u bëri thirrje që ta ndiqnin në komisariat. Ata e kaluan natën në qeli dhe të hënën u paraqitën në gjykatë, ku u akuzuan për “akte rrugaçërie jo të rënda”.
Ndërkohë, një tjetër armik i presidentit Putin, blogeri Alexei Navalni denoncoi në Twitter se ka zbuluar një zyrën e tij një përgjues. Navalni bëri të ditur se përmes një aparati special që i kishte sjellë një shoku i tij mundi të gjejë përgjuesin, që ishte fshehur në një raft.
Eksponenti më popullor i opozitës dyshon se përgjuesi është vendosur nga kreu i komitetit hetimor që pak ditë më parë e akuzoi se ka përvetësuar ilegalisht pasuri kur ka qenë funksionar publik.
Top Channel