Monti: Uroj të ndryshoj mentalitetin italian

07/08/2012 00:00

Kryeministri italian Mario Monti duket paksa i penduar për deklaratën e
bërë për revistën gjermane “Der Spiegel”, se në Itali është rritur
ndjenja anti-gjermane.

Në një tjetër intervistë për një media prestigjoze, ai është përpjekur të ulë tonet, por nuk i ka fshehur rezervat për mentalitetin gjerman.

“Shpresoj që qeveria ime të ndihmojë në ndryshimin e mentalitetit të italianëve, por jo duke e zëvendësuar me mentalitetin gjerman”, ka thënë Monti.

“Megjithatë ka aspekte, si solidariteti i ngritur deri në nivelin e përplasjes, që janë në bazë të sjelljeve si evazioni fiskal”, është shprehur shefi i qeverisë italiane për “Wall Street Journal”.

Ai ka pranuar se, reformat e bëra deri tani nga qeveria e tij nuk mjaftojnë për të rikthyer Italinë në formën e duhur. “Duhet që këto reforma të hedhin rrënjë në sjelljet e italianëve, në mënyrë që t’u mbijetohet edhe qeverive të stilit të vjetër”, ka thënë më tej Monti.

I pyetur nga “Wall Street Journal” për një koment mbi apelet e vazhdueshme të qeverive italiane për negociata me Konfindustrian dhe sindikatat, kryeministri ka dhënë këtë përgjigje:

“Gjithmonë kam menduar se përçueshmëria ka qenë një praktikë e përdorur tej mase në të kaluarën. Ajo është si kolinozi. Nëse nuk e mbyll tubetin, përfundon e gjitha jashtë”.


Intervista e zotit Monti për revistën gjermane
nuk mund të kalonte pa ngjallur reagime nga pala gjermane. Zyrtarë të niveleve të ndryshme të Berlinit zyrtar u shprehën të irrituar si ndaj pjesës për ndjesinë anti-gjermane, ashtu edhe për propozimet e Montit që qeveritë të veprojnë të pavarura nga Parlamenti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB