
Shefi i Sigurisë në Iran tha në praninë e presidentit Bashar al-Assad se Siria është pjesë e një “aleance thelbësore rajonale”, të cilën Teherani nuk do ta lejojë të prishet.
Gjatë një takimi në Damask, Saeed Jalili e konsideroi vendin e përfshirë nga lufta civile si një pjesë esenciale të “aksit të rezistencës anti-amerikane”.
Deklarata u bë vetëm një ditë pasi kryeministri i Sirisë, Riad Hijab, braktisi qeverinë për të kaluar në radhët e opozitës.
Ndërkohë, Televizioni Shtetëror Sirian tregoi imazhe të Presidentit Assad duke përshëndetur Jalilin, në atë që ishte paraqitja e tij e parë televizive e kreut të shtetit në dy javë.
Për herë të fundit, Assad ishte parë në televizion në datën 22 korrik, katër ditë pasi një shpërthim me bombë vrau dy ministra dhe disa funksionarë të tjerë të lartë në Damask.
Nga ana e tij, Assad tha “populli dhe qeveria siriane janë të vendosur që të vazhdojnë me vendosmëri luftën e tyre për spastrimin e vendit nga terroristët”.
Presidenti shtoi se “dialogu kombëtar” do të vazhdojë, ndërsa siguroi bashkëbiseduesin e tij në “aftësinë e autoriteteve siriane për të zmbrapsur komplotet e huaja në dëm të vendit”.
Në Siri, sipas Kombeve të Bashkuara, kanë humbur jetën mbi 20,000 persona në 17 muaj trazira.
Top Channel