Rusi, tjetër grup kundër Putin

06/08/2012 20:10

Një tjetër grup muzikor, pas Pussy Riot, është arrestuar në Rusi pasi ka kënduar një këngë-protestë kundër presidentit Vladimir Putin.

Bëhet fjalë për grupin rep Makulatura, dy anëtarët e të cilit po performonin mbrëmjen e së dielës në parkun Bauman gjatë një festivali rinor.

Kur kanë arritur në këngën e tretë, një nga agjentët e pranishëm është ngjitur në skenë dhe u ka bërë thirrje që ta ndiqnin në komisariat.

Ata e kanë kaluar natën në qeli dhe të hënën janë paraqitur në gjykatë, ku janë akuzuar për “akte rrugaçërie jo të rënda”.

Ndërkohë, një tjetër armik i presidentit Putin, blogeri Alexei Navalni ka denoncuar në Twitter se ka zbuluar një zyrën e tij një përgjues.

Navalni ka bërë të ditur se përmes një aparati special që i kishte sjellë një shoku i tij ka mundur të gjejë përgjuesin, që ishte fshehur në një raft.

Eksponenti më popullor i opozitës dyshon se përgjuesi është vendosur nga kreu i komitetit hetimor që pak ditë më parë e akuzoi se ka përvetësuar ilegalisht pasuri kur ka qenë funksionar publik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA