Kinë, superoperacion anti-krim në Makao

06/08/2012 15:45

Mbi 150 persona janë arrestuar në ishullin e Makaos, në kuadër të një operacioni të policisë kundër krimit të organizuar.

Lajmin e bën të ditur shtypi kinez, sipas të cilit mes së premtes dhe së shtunës janë marrë në pyetje plot 1300 persona, në lidhje me një seri krimesh.

Operacioni, i koduar me emrin “Thunderbolt”, është ekzekutuar pas disa akteve të dhunës të regjistruara së fundmi në ish-koloninë portugeze.

Pak javë më parë një grua u gjet e vrarë në një zonë të banuar, në afërsi të një kazinoje, ndërsa dy kinezë u gjetën po ashtu të vrarë në një hotel luksoz.

Ishulli i Makaos, i njohur ndryshe si Las Vegasi i Kinës, ka një prani të theksuar të krimit të organizuar kinez, që në gjuhën lokale njihet me emrin Triada.

Triada, që numëron një numër shumë të madh anëtarësh, është aktive në lojrat e fatit, prostitucion, zhvatje, shantazhe dhe krime të tjera.

Organizata, tashmë e zgjeruar në të gjithë planetin, u krijua shekuj më parë kur mançurianët në Kinë sulmuan tempullin Shao Lin, duke vrarë 108 murgj nga 113.

Pesë murgjit që mbijetuan u vendosën në zona të ndryshme të Kinës dhe themeluan secili Triadën e vetë për të mbrojtur popujt nga mançurianët.

Por më vonë ata e lanë mënjanë patriotizmin dhe iu përkushtuan botës së krimit. Organizata e tyre quhet Triadë sepse përfshin tre elementë: qiellin, tokën dhe njeriun.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA