Japoni, përkujtohet tragjedia e Hiroshimës

06/08/2012 15:50

Japonia përkujtoi ditën e hënë 67-vjetorin e lëshimit të bombës bërthamore mbi Hiroshimë, në atë që është shndërruar në një homazh të përvitshëm ndaj viktimave japoneze të Luftës së Dytë Botërore.

Me dhjetëra mijëra persona ishin të pranishëm në ceremoni, ndërsa debati dhe ndienjat anti-bërthamore në vend kanë arritur nivelet më të larta në dekada.

Një këmbanë shënoi heshtjen prej një minute në orën 08:15, kur bombarduesi amerikan “Enola Gay” lëshoi bombën që shkatërroi krejtësisht qytetin dhe vrau 140 mijë persona.

Kryebashkiaku i Hiroshimës, Kazumi Matsui, lëshoi një apel për një planet të çliruar nga ankthi i armëve bërthamore, nga vendi ekzakt ku bomba amerikane preku tokën në 6 gusht 1945.

”I kërkoj qeverisë sime që të vendosë sa më shpejt një politikë energjie që të vendosë në radhë të parë sigurinë dhe shqetësimin për mirëqënien e qytetarëve”, deklaroi ai.

Matsui, njëkohësisht kërkoi më shumë mbështetje për të mbijetuarit e moshuar, që po përballen me ndërlikime shëndetësore të shkaktuara nga rrezatimet e bombës bërthamore.

Kryeministri Yoshihiko Noda, i pranishëm në ceremoni, theksoi se leksioni i Hiroshimës nuk duhet të harrohet kurrë, por nuk u shpreh mbi politikën nukleare të vendit të tij.

Pas krizës së Fukushimës, shkaktuar në 2011 nga një tërmet madhore që krijoi rrjedhje radioaktive dhe rrezatime nga një qendër e prodhimit të energjisë, ka pasur thirrje të fuqishme të shoqërisë civile që të hiqet dorë nga kjo formë e prodhimit të energjisë.

Megjithatë, Tokio zyrtar vendosi për rikthimin e plotë në punë të të gjithë reaktorëve në muajin korrik, duke argumentuar se kostoja e mbajtjes së tyre mbyllur do të ishte shumë e rëndë për të gjithë ekonominë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA