Incident në kufirin Izrael-Gaza

06/08/2012 23:30

Një grup personash të armatosur të veshur si beduinë, hapën zjarr në pikën kufitare mes Egjiptit dhe Izraelit, në afërsi të Gazës duke vrarë 16 roje kufitare egjiptiane.

Sulmi ndodhi të dielën, rreth orës 20.00 të mbrëmjes, kur rojet po përgatiteshin për të ngrënë iftarin.

Televizioni egjiptian raportoi se personat e maskuar hapën zjarr duke përdorur armët dhe granatat. Media izraelite tha se minuta më vonë, një autoblindë e rrëmbyer nga grupi i të armatosurve u hodh në erë në pikën kufitare të Kerem Shalomit, ndërsa një tjetër kaloi kufirin dhe hyri në Izrael, ku u vu në shënjestër të forcave ajrore izraelite.

Tetë militantë u vranë. Zëdhënësi i kryeministrit izraelit, përmes Tuiterit, tha se automjeti që u hodh në erë ishte i mbushur me lëndë shpërthyuese dhe në shënjestër të tij do të ishin civilët.

Agjensia shtetërore egjiptiane citoi zyrtarë të lartë të sigurisë, të cilët thanë se të armatosurit ishin “xhihadist” të infiltruar nga Rripi i Gazës.

Fill pas ngjarjes, autoritetet e Kajros mbyllën deri në një afat të pacaktuar postën kufitare në Rafah, e vetmja pikë kalimi mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit, që nuk kontrollohet nga Izraeli. Egjipti shpalli tre ditë zie kombëtare në nder të viktimave.

Reagimet pas incidentit

             
Presidenti egjiptian Mohamed Mursi, gjatë një fjalimi në televizion, tha se kriminelët e sulmit në kufirin mes Egjiptit dhe Izraelit do të paguajnë një cmim shumë të lartë.
                     
“Ky incident nuk do të kalojë lehtë. Forcat e armatosura do të marrin në dorë kontrollin e plotë të këtyre zonave të Sinait për t’i mbrojtur dhe ata që kryen krimin do të paguajnë një cmim të lartë, të gjithë ata që bashkëpunuan me ta në këtë zonë apo anë të tjera në Egjipt”, deklaroi presidenti egjiptian Muhamed Mursi.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu dhe ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak vizituan pjesën jugore të kufirit, në vendin ku ndodhi sulmi.

“Do të doja të shprehja dhimbjen për vrasjet e ushtarëve egjiptianë. Mendoj se është e qartë që Izraeli dhe Egjipti kanë interesa të përbashkëta për ta mbajtur kufirin mes nesh, të qetë. Rezulton se kur flitet për sigurinë e izraelitëve, shteti i izraelit duhet të mbështetet tek vetja”, tha Netanahu.

Zëdhënësi i HAMAS-it tha se Egjipti dhe Gaza kanë armiq të përbashkët dhe garantoi se organizata do të hetojë ngjarjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA