Të paktën 48 pelegrinë iranianë janë rrëmbyer nga një autobus në afërsi të një objekti kulti pranë kryeqytetit të Sirisë, Damask. Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.
Diplomatët iranianë kanë fajësuar “grupet e armatosura” për rrëmbimin e ndodhur në objektin shiit Sajida Zainab. Televizioni sirian ka treguar të njëjtën rrjedhë ngjarjesh.
Konsulli iranian në Damask deklaroi se dihet se cila është vendndodhja e pelegrinëve të rrëmbyer.
Agjencia shtetërore siriane “Sana” thotë gjithashtu se iranianët janë rrëmbyer nga “grupe terroriste të armatosura” dhe se autoritetet po punojnë për të zgjidhur situatën.
Mijëra iranianë udhëtojnë çdo vit në Siri për të vizituar objektin shiit të kultit, Sajida Zainab, pranë të cilit janë zhvilluar luftime të ashpra në javët e fundit.
Gjithashtu, ka pasur raportime se grupe të tjera besimtarësh iranianë janë rrëmbyer në muajt e kaluar, një pjesë e të cilëve janë liruar së fundmi.
Në muajin maj, 11 pelegrinë shiitë libanezë u rrëmbyen në Siri teksa po ktheheshin nga Irani. Ata u liruan pasi u mbajtën për tre ditë, por incidenti shkaktoi akte dhune nëpër Liban, ku kriza në Siri ka nxitur tensione sektare.
Ndërkohë, luftime të reja janë raportuar përreth Damaskut dhe në qytetin verior të Alepos, ku rebelët po përpiqen të mbajnë pozicionet e tyre.
Top Channel