Policia italiane ka goditur një grup kriminal të trafikut të drogës, të përbërë nga shtetas italianë e shqiptarë, duke sekuestruar 12 kilogramë lëndë narkotike, heroinë dhe kokainë.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave hetimet janë koordinuar nga Drejtoria Rajonale e Antimafias, e cila ka zbuluar trafikun ndërkombëtar.
Sipas burimit, droga kishte si destinacion Italinë qendrore, ndërkohë që të arrestuarit janë 5 shqiptarë dhe tre italianë, të moshave nga 25 në 40 vjeç e që banonin në Piza, Firence dhe Areco.
Grupet kriminale shqiptare në vendin fqinj vazhdojnë të jenë të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogave të rënda, përveç hashashit që vjen nga Shqipëria.
Ato konsiderohen si aleate të ngushta të organizatave kriminale italiane, të cilat sipas ekspertëve nuk i shohin më shqiptarët si të huaj.
Top Channel