Tirana në mes të një furtune bastesh. Federata Norvegjeze ka bërë të ditur se do t’i drejtohet UEFA-s për dyshime të forta në lidhje me ndeshjen e kupës Europa League mes Alesundit dhe Tiranës.
Në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në Norvegji, Tirana dyshohet se e ka humbur me qëllim ndeshjen me rezultatin 0-5, ndërkohë që kompania kombëtare e llotarive “Norsk Tiping” ka sinjalizuar Federatën për baste të dyshimta për këtë takim, në mënyrë të vecanë në Azi, sidomos gjatë zhvillimit të ndeshjesh.
Zëdhënësi i “Norsk Tiping”, Einar Busterud ka bërë të ditur për “AFP”-në se me kalimin e minutave u rritën shumë bastet që kjo ndeshje do të mbyllej me rezultatin 5-0.
Sipas Federatës Norvegjeze, por edhe kompanisë së llotarisë kombëtare “Norsk Tiping”, që organizon vetë baste të tilla, Alesundi nuk është i dyshuar për ndikim në këtë rezultat.
Ndërkohë që drejtuesit e Tiranës për atë humbje të turpshme kanë bërë të ditur se faktor kanë qenë fusha artificiale, mungesa e ushqimit apo zbrazëtia e minibareve në hotel.
Rreth një muaj më pare, disa klube të kategorisë së dytë dhe të tretë në Norvegji janë dyshuar për fiksime rezultatesh ndërkohë që ka pasur edhe të arrestuar.
Gjithsesi, ky është një dyshim i parë për atë c’ka ndodhi me ndeshjen Alesund-Tirana 5-0, ku në vendin tonë u konsiderua një humbje e turpshme, e asnjë organ nuk shkoi më tej, ndërkohë që Federata Norvegjeze ka vendosur t’i drejtohet UEFA-s, me faktet që kanë sinjalizuar këto dyshime.
Top Channel