
Përfaqësuesja e basketbollit të meshkujve e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka vendosur një rekord të ri pikësh në Lojërat Olimpike pasi mundi me rezultatin e thellë 156-73 Nigerinë.
Edhe pse trajneri Mike Krzyzewski kishte bërë të ditur se ndeshjet e grupit “Dream Team”-i nuk do i merrte aq seriozisht, duket se lojtarët nuk ia kanë vënë veshin.
Plot 156 pikë nga yjet e basketbollit botëror ndaj një skuadre modeste dhe rekordi i pikëve që mbahej nga Brazili në Olimpiadën e vitit 1988 në Seul “shkrumbohet” (Seleçao e basketbollit ka shënuar në ndeshjen ndaj Egjiptit 138 pikë).
SHBA realizoi 29 gjuajtje për tre pikë nga 46 tentativa gjithsej. Carmelo Anthony me 37 pikë dhe Russell Westbrook me 21 pikë ishin shënuesit më të mirë për amerikanët.
Kobe Bryant shënoi 16 pikë, ndërsa Kevin Durant 14. Yjet e NBA e limituan veten duke marrë parasysh që janë lojtarë që shënojnë mbi 30 pikë për ndeshje.
Takimi i radhës i SHBA-së do të jetë ndaj Lituanisë ditën e shtunë, në orën 15:30.
Top Channel