Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë votash rezolutën që dënon Këshillin e Sigurimit, që deshtoi në zgjidhjen e krizës siriane.
Dokumenti jodetyrues, i hartuar nga Arabia Saudite, që haptazi përkrah kryengritësit, u miratua me 133 vota, 12 kundër dhe 31 abstenime. Miratimi vjen një ditë pas dorëheqjes së të dërguarit të Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe, Kofi Annan dhe dështimit të planit të tij gjashtëpikësh.
Në hapjen e seancës, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon u bëri thirrje fuqive boterore, të tejkalojnëe ndasitë në përpjekje për t’i dhënë fund dhunës në Siri. “Aktet e brutalitetit që raportohen mund të përbejne krime kundër njerezimit apo krime lufte”, tha Ban.
Ambasadori i Arabise Saudite, Abdallah Al-Muallimi kërkoi që Asambleja të ruante moralin e saj dhe vleret njerëzore dhe të miratonte rezolutën. Atij iu përgjigj ambasadori i Sirisë në Kombet e Bashkuara, Bashar Jaffari, i cili tha se shtetet që sponsorizojnë dokumentin nuk duhet ta konsiderojnë veten oaze të të drejtave të njeriut.
Këshilli i Sigurimit është bllokuar tri herë, në përpjekjen e tij për të ndëshkuar regjimin sirian nga vetot e Kinës dhe Rusisë.
Top Channel