Komisioni antidoping nuk funksionon

03/08/2012 20:30

Komisioni antidoping në Shqipëri nuk funksionon. Lajmi konfirmohet nga anëtari i këtij komisioni, mjeku Lluka Heqimi, i cili në vazhdën e reagimeve ndaj rastit Pulaku ka treguar se ky komision është një vegël e Ministrisë së Sporteve.

“Komisioni kombëtar antidoping është një lojë në duart e Ministrisë. Është një institucion që e kemi, por më shumë ne na tundin të huajt, se sa tundim veten. Ky komision, jo se nuk ka bërë kontrolle anti-doping, por unë nuk di se kujt i është bërë. Unë që jam një anëtar i këtij komisioni, nuk di se cilët atletë janë përzgjedhur, ndonëse ata duhet të përzgjidheshin nga komisioni. Pastaj duhet të shkohet në bazë me një lloj fshehtësie, pasi këto kontrolle duhet ta kenë atë. Me sa di unë, kjo nuk ka ndodhur kurrë, ndonëse jam ndër anëtarët më të vjetër të këtij komisioni”, deklaroi Heqimi.

Mjeku Heqimi deklaron se faji është i drejtuesve të Federatave Sportive, në këtë rast e asaj të Peshëngritjes që lejon disa gjëra absude, që nuk ndodhin në asnjë vend në botë.

“Në qoftë se do të kemi sportistë që njëri stërvitet në Greqi, tjetri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dikush në një vend tjetër, nuk ka se si ta njohim problemin. Peshëngritja jonë synon të kapë lavdinë. Të kapë atë shpërblim që është vendosur, që për mendimin tim edhe ai duhet diskutuar, sepse premio është një ndër shkaqet, ndonëse jo kryesori, që shtynë drejt dopingut sportistët tanë. Nuk mundet, siç ndodh në sportin tonë, që gruaja të stërvitet nga burri. Le të më thonë një rast tjetër në botë dhe tërhiqem. Përse ndodh kjo në Shqipëri? Sepse ne jemi një vend i lirë, e kemi një demokraci të shthurrur”, shtoi mjeku.

Në fund, mjeku Heqimi, anëtari i komisionit antidoping jep dhe recetën e përmirësimit të situatën dhe mbarëvatjes së punës së këtij komisoni.

“Parandalimi është njohja më e mirë e problemit, njohja më e mirë e punëve. Krijimi i qendrave stërvitore dhe forcimi i mjekësisë sportive. Ndërgjegjësimi i të githëve se çfarë është dopingu dhe se duhet të mbështetemi më shumë në forcat tona ose në disa elementë të lejueshëm”, përfundoi mjeku Lluka Heqimi, njëkohësisht anëtar i Komisioni Shqiptar Antidoping.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA