Clinton irriton Kinën gjatë turit afrikan

03/08/2012 16:00

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, vazhdoi turin e saj në Afrikë në një vizitë në kryeqytetin e Sudanit të Jugut, Juba, duke bërë thirrje për frenimin e tensioneve kufitare apo provokimeve që mund të përfshijnë në një luftë të përgjakshme të dy Sudanet.

Megjithatë, elementi më i debatuar i vizitës së saj në “Kontinentin e Zi” ishte një deklaratë, e cila provokoi një irritim të thellë në Kinë.

Duke kritikuar depërtimin kinez në Afrikë, Clinton theksoi të enjten nga Senegali se “SHBA është e interesuar për një model partneriteti që përmirëson vlerat e të dy vendeve dhe jo zhvat vlerat e një vendi”.

Reagimi i Pekinit ishte i menjëhershëm, nëpërmjet një editoriali të një funksionari të botuar në Agjensinë e Lajmeve “Xinhua”. “Nëse Clinton është injorante rreth fakteve ose zgjedh që të mos i marrë parasysh ato, ky është problemi i saj. Por, supozimi i Sekretares Amerikane të Shtetit se Kina është duke zhvatur pasurinë e Afrikës është jo vetëm i pavërtetë, por edhe fyes”.

Investimet kineze në Afrikë, të përqendruar në projekte infrastrukturore apo ekonomike, kanë pësuar një rritje drastike në vitet e fundit, ndërsa Pekini ka krijuar edhe një fond të veçantë kredish, që shpërndahet vetëm midis vendeve afrikane.

Pas vizitës në Sudan, Senegal dhe Ugandë, Clinton do të vizitojë përgjatë 11-ditëve edhe Kenian, Malauin, Afrikën e Jugut dhe Ganën, ku ajo do të jetë pjesëmarrëse edhe në funeralin e ish-presidentit Atta Mills, në datën 10 gusht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA