Bjellorusia përjashtoi ambasadorin suedez nga vendi, me argumentimin se u takua me “grupe të opozitës dhe shkatërroi marrëdhëniet midis Stokholmit dhe Minskut”.
Në një reagim të menjëhershëm gjatë së premtes, ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, u shpreh se akuzat ndaj ambasadorit ishin “qesharake” dhe “të pabaza”.
Lëvizja e Minskut zyrtar vjen pasi një firmë private suedez, pajtoi një avion të vogël me qera, për të lëshuar qindra arushë pellushi, që mbartnin mesazhe antiqevetiare dhe për më shumë të drejta demokratike.
Në vijim të incidentit, presidenti autoritar i vendit, Alexander Lukashenko, shkarkoi nga detyra dy gjeneral-majorë, drejtuesin e flotës ajrore dhe të mbrojtjes kufitare.
Në kundërpërgjigje, Stokholmi zyrtar theksoi se nuk do të mirëpresë ambasadorin bjellorus, që duhet të marrë detyrën në muajt në vazhdim. Njëkohësisht, dy diplomatët e mbetur bjellorusë në vend u shpallën “non grata” dhe iu kërkua të largoheshin.
Në pushtet që nga viti 1994, presidenti Alexander Lukashenko i ka dhënë vendin një drejtim pro-rus, duke shtypur ashpër të gjithë kundërshtarët e tij politike e duke manipuluar gjerësisht zgjedhjet që mbahen çdo katër vjet.
Kjo ka bërë që Bjellorusia të konsiderohet nga Bashkimi Europian si shteti i vetëm europian jodemokratik.
Top Channel