Berisha dhe Rama pa shtëpi pushimi

03/08/2012 00:00

Dy drejtuesit kryesorë të politikës shqiptare, Kryeministri Sali Berisha
dhe kreu i opozitës, Edi Rama, nuk deklarojnë të kenë në pronësinë e
tyre asnjë shtëpi pushimi.

Por të paktën për kreun e ekzekutivit ky fakt nuk është një problem. Kreu i qeverisë, Berisha për çdo verë zgjedh të pushojë disa ditë në vilën qeveritare të Dhërmiut, e cila mësohet se është e preferuara e tij. Po kështu, ai nuk ngurron të kalojë disa ditë të qeta dhe në vilën qeveritare të Durrësit, kryesisht për të qëndruar larg zhurmës së kryeqytetit.

Nga ana tjetër, Edi Rama, tregon në deklaratat e tij të pasurisë se nuk disponon asnjë apartament në pronësinë e tij dhe se jeton me qira në kryeqytet, së bashku me bashkëshorten. Burimet bëjnë të ditur se zakonisht pushimet e tij të verës janë jashtë vendit, por nuk mungojnë dhe fundjavat në bregdetin e Jonit. Nga ana tjetër, shtëpi në bregdet disponojnë dhe një pjesë e madhe e deputetëve të Parlamentit shqiptar. Ashtu si dhe në rastin e ministrave.

Berisha

Kryeministri Berisha gjithmonë e më shumë po tregon një lidhje të veçantë me vilën qeveritare të Dhërmiut. Kjo vilë bën që çdo verë, kreu i qeverisë i shoqëruar dhe nga familjarët të qëndrojë për disa ditë dhe madje të shijojë dhe notin në detin Jon. Në kuadër të pasionit për notin, Kryeministri Berisha mat dhe bën publike kohëzgjatjen e qëndrimit të tij në ujë duke notuar. Kreu i qeverisë argëtohet duke e rritur kohën e qëndrimit në ujë me disa minuta, nga një vit në vitin tjetër dhe duke e quajtur këtë një rekord personal në sportin e notit. Një tjetër destinacion i pëlqyer për kreun e qeverisë në stinën e verës është dhe vila qeveritare e Durrësit. Kjo vilë përdoret nga Kryeministri për të kaluar një kohë të qetë me familjen, jo shumë larg nga zyra e tij dhe jo për të notuar. Kjo kohë përdoret nga Kryeministri për të lexuar dhe po kështu gjatë viteve të fundit dhe për të zhvilluar takime me pushuesit shqiptarë dhe të huaj që preferojnë të pushojnë në Durrës. Ndërsa në dimër destinacioni i preferuar i Kryeministrit Berisha është mali i Dajtit, të cilin e frekuenton fundjavave me familjen e tij. Berisha është shprehur disa herë që pushimet verore do të jenë në çdo rast në Shqipëri, duke e lidhur këtë qëndrim me natyrën e bukur shqiptare dhe distinacionet e këndshme turistike që mund të ofrohen në stinën e verës, por edhe të dimrit. Për të kaluar pushimet e tij, kreu i qeverisë zgjedh familjarët, ku një pjesë të veçantë kanë tri vajzat e Argita Berishës. Por pavarësisht kënaqësisë që merret nga pushimet e verës, kreu i qeverisë nuk pushon më shumë se shtatë ditë rresht në një vit.

Pushimet e vonuara

Vendimi i Konferencës së Kryetarëve për të zhvilluar seancën plenare për heqjen e imunitetit në datën 6 gusht ka bërë që pjesa dërrmuese e deputetëve shqiptarë të mos i kenë nisur ende pushimet e kësaj vere. Një pjesë e cila kishte parashikuar t’i zhvillonte ato në fundin e muajit korrik ose në fillimin e gushtit është detyruar t’i shtyjë për në pjesën e dytë të këtij muaji.

Familja Nishani deklaron se në qytetin bregdetar të Durrësit disponon tre apartamente, nga të cilat njëri me sipërfaqe 40 m2 është i vendosur në plazh.

Presidenti i ri i vendit, Bujar Nishani, disponon një shtëpi pushimi në plazhin e Durrësit, të cilën bashkëshortja e tij e ka të dhuruar nga i ati. Familja Nishani deklaron se në qytetin bregdetar të Durrësit disponon tre apartamente, nga të cilat njëri me sipërfaqe 40 m2 është i vendosur në plazhin e këtij qyteti. Të tria këto apartamente shfaqen në pronësinë e bashkëshortes së Presidentit, Odeta Nishanit, e cila i ka të trashëguara nga i ati i saj dhe trashëgimia familjare. Kjo e bën Zonjën e Parë të vendit të disponojë një pasuri të konsiderueshme personale, e cila duket se i ka ofruar më shumë komoditet familjes së Presidentit të Republikës, i cili më parë ka mbajtur postet e ministrit të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë. Aktualisht, familja Nishani pritet të zhvendoset për të jetuar në Pallatin e Brigadave, nisur nga detyra e kreut të shtetit që Bujar Nishani mori zyrtarisht disa ditë më parë.

Një nga destinacionet më të shpeshta të politikanëve shqiptarë përgjatë verës është Italia, e cila zgjidhet për plazhet e shumëllojshme, afërsinë me vendin dhe ushqimin e mirë.

Pavarësisht faktit se një pjesë e madhe e deputetëve dhe politikanëve shqiptarë disponojnë një shtëpi të posaçme në bregdet apo në mal për pushimet e tyre, përsëri joshja për t’i kaluar pushimet e verës jashtë vendit nuk mungon. Nisur nga pushimet e gjata të verës që deputetët marrin si pasojë e mungesës së veprimtarive parlamentare në muajin gusht, koha për t’i ndarë pushimet mes Shqipërisë dhe destinacioneve të tjera jashtë vendit nuk mungon. Një nga destinacionet më të shpeshta të politikanëve shqiptarë përgjatë muajve të verës është Italia, e cila zgjidhet për plazhet e shumëllojshme, afërsinë me vendin dhe ushqimin e mirë. Por nga ana tjetër, një pjesë e madhe preferojnë dhe Greqinë e cila me turizmin e zhvilluar, tërheq çdo vit miliona turistë nga e gjithë bota. Vitet e fundit, politikanët shqiptarë kanë preferuar të pushojnë dhe në plazhe në vendet arabe, si Dubai apo Sharm el Sheikh.

Top Channel