Ish presidenti Bamir Tomi zyrtarizon rikthimin në politikën aktive
partike duke iu bashkuar formacionit më të ri politik në vënd, Frymës së
Re Demokratike.

Për rreth 45 minuta themeluesit e FRD-së u takuan në ambientet e Hotel Tirana me zotin Topi nga ku i parashtruan programin dhe synimet e kësaj force politike.

“Do jetë fundi i këtij muaji që do të realizojë hapin përfundimtar dhe unë jam i bindur se takimi tjetër do realizohet në selinë e re të FRD-së, një forcë e re politike, e cila në projektin politik e ka bërë të qartë që do të jetë në funksion të plotë aspiratës qytetarë dhe më ka pëlqyer një shprehje e saktë e zotit Oketa kur është pyetur për aleancat e mundur, ka thënë se aleanca jonë është aleancë me qytetarin”, tha Topi.

Ndërsa Gazmend Oketa, bashkëthemelues i FRD-së, duke komentuar takimin vlerësoi kontributet e Bamir Topit në politikë.

“E njohëm me projektin tonë politik që synon të sjellë një politikë ndryshe në mënyrë që ëndrra e shqiptarëve për integrimin evropian të bëhet realitet. Eksperienca e presidentit Topi, si një nga politikanët më të spikatur të Shqipërisë do të jetë një aset i shtuar dhe i mirëpritur nga FRD”, tha Oketa.

Një takim midis Topit dhe grupit nismëtar të FRD-së ishte paralajmëruar që prej një jave, në emisionin e përjavshëm politik të “Top-Channel”, “Top-Story” i Sokol Ballës.

Ndërsa theksoi nevojën për një rotacion politik, i pyetur për angazhimet e tij të ardhshme politike Topi u shpreh në atë seri se: “Ju kam lajmëruar kohë më parë që me probabilitet të lartë e mendoj veten të kthyer në politikë. Mbajta një premtim, që nuk e shkela deri në sekondën e fundit sa isha president, që nuk mora pjesë në debate politike. Është fiksuar një takim me Oketën në javën që vjen. Do të diskutojmë gjërë e gjatë për të bërë të mundur një vendimmarrje finale, që mund të mbërrijë në fund të gushtit apo në fillim të shtatorit”.

Në të njëjtin emision, Topi gjithashtu foli për nevojën e krijimit të një fryme dhe një fronti të re në politikë, në mënyrë që të bëhet i mundur kalimi i pushtetit nga duart e PD-së, në duar të tjera.

“Kam kritika të forta për mënyrën e administrimit të pushtetit, një tentativë për të patur kontroll edhe tek gjërat më të parëndësishme. Një pushtet që jep këto sintoma, që keqpërdor dhe falsifikon edhe votën e presidentit, atëherë për çfarë duhet të kem besim unë? Pse duhet të kërkoj shenjë tjetër? Nuk ka nevojë të marrim shumë simptoma. Është e domosdoshme të ketë rotacion, por nuk parashikoj se qysh-tek”, theksoi Topi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA