Siri, Annan dorëzohet

02/08/2012 19:15

Kofi Annan, nisma e të cilit për të vendosur paqe në Sirinë e shkatërruar nga lufta dështoi, dha dorëheqjen si i dërguari i përgjithshëm i OKB-së dhe i Ligës Arabe për vendin në luftë civile.

Ishte Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ai që beri publik të enjten këtë lajm, pasi Annan i komunikoi se nuk dëshironte të rinovonte mandatin e tij pas skadimit të afatit në datën 31 gusht.

Në komunikatën e tij, Ban falenderoi Annan për “përpjekjet kurajoze dhe të vendosura”, për t’i dhënë fund një konflikti të përgjakshëm 17-mujor, i nisur me shtypjen e dhunshme të protestave paqësore në mars 2011.

Duke shpjeguar arsyet e dështimit të misionit të udhëhequr nga paraardhësi i tij në OKB, Ki-moon vlerësoi dy faktorë kryesorë që kanë minuar gjetjen e një zgjidhje. “Qeveria dhe kryengritësit kanë përshkallëzuar vazhdimisht shkallën e tyre të dhunës, ndërsa ndasitë brenda Këshillit të Sigurimit e bënë praktikisht të pamundur punën për Assad”.

Midis pesë anëtarëve të përhershëm dhe me të drejtë vetoje të këshillit, Rusia dhe Kina i kanë rezistuar gjithmonë thirrjeve për masa të ashpra ndaj regjimit të Assad, favorizuar nga SHBA, Britania dhe Franca.

Ushtria vret 70 persona në Damask

Ushtria siriane vrau 70 persona gjatë dy operacioneve në Damask.
Ushtarët hynë shtëpi më shtëpi në kërkim të dokumenteve duke kryer ekzekutime ne grup.

Televizioni shteteror raportoi se dhjetera terroriste u rrethuan dhe u vranë gjatë këtyre operacioneve. Dëshmitarë dhe aktivistë folën për bombardime dhe sulme nga toka në lagjen jug-perëndimore Xhdeidet Artuz dhe lagjen jugore “Jalda” u vranë të paktën 27 persona.

Siri, kryengritësit bombardojnë aeroportin

Mediat ndërkombëtare raportojnë se kryengritësit kanë bombarduar aeroportin ushtarak Menag, i cili ndodhet 30 km në veri-lindje të Alepit, nga ku nisen helikopterët dhe avionët ushtarakë që sulmojnë qytetin.

Lajmi raportohet nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut. Sipas raportimeve, kryengritësit kanë mundur të rrëmbejnë një tank të forcave të ushtrisë me të cilin kanë ndërmarrë sulmin kundër aeroportit.

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara Martin Nesirki konfirmoi se kryengritësit sirianë kanë siguruar armë të rënda në Alep, ku beteja është intensifikuar ditët e fundit.

Al Xhazira raporton se ata kanë marrë nën kontroll edhe një pikë kufitare, në kufi me Irakun. Organizata për Ushqimin dhe Bujqësinë, pranë OKB-së vlerëson se tre milionë sirianë kanë nevojë për ushqime dhe ndihmë për bujqësinë. Prej tyre një milionë e gjysëm banorëve u nevojiten urgjentisht ushqime për 3 apo gjashtë muajt e ardhshëm, vecanërisht në zonat e konfliktit.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA