Policia në Peru deklaron se ka sekuestruar 2.3 milionë dollarë në kartmonedha të falsifikuara, të cilat i atribuohen një krimineli të fuqishëm në vendin latin.
Sipas autoriteteve, klani mizor kriminal i Quispe Rodriguez dyshohet se fshihet prapa prodhimit të këtyre kartmonedhave të falsifikuara.
Shefi i policisë peruane, Raul Salazar deklaroi se organizata kriminale po planifikonte t’i transportonte paratë, në kartmonedha 50-dollarëshe, në Shtetet e Bashkuara, të fshehura brenda suvenireve peruane.
Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë deklaruar disa herë se Peruja është prodhuesi më i madh në botë i karmonedhave të falsifikuara të valutës amerikane.
Vetëm këtë vit, policia peruane thotë se ka sekuestruar 17 milionë dollarë të falsifikuara. Salazar deklaroi se një person i akuzuar si anëtar i organizatës së Quispe Rodriguez është arrestuar.
Paratë dhe materiali për prodhimin e kartmonedhame falso, si boja speciale dhe karta, u sekuestruan në një shtëpi në kryeqytetin Lima.
Persona të tjerë të lidhur u arrestuan dy javë më parë me miliona dollarë, euro dhe valuta të tjera të falsifikuara, përfshirë atë peruane.
Autoritetet thonë se organizata me baza familjare drejtohet nga Rodriguez, edhe pse ai ndodhet në burg dhe në proçes gjyqësor.
Top Channel