Kelmendi kthehet në Kosovë

02/08/2012 23:55

Xhudistja Majlinda Kelmendi u kthye në Kosovë. Pjesëmarrësja e cila përfaqësoi Shqipërinë në “Londër 2012” u prit në aeroportin e Prishtinës nga Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi.

Majlinda Kelmendi vlerësoi pritjet e mëdha për medalje si në Kosovë ashtu edhe Shqipëri por theksoi se, pjesëmarrja për herë të parë në Olimpiadë, përgjegjësia e madhe dhe presioni që ajo ndjeu ishin rezultati kur u mposht nga një garuese si Legentill, që nuk është as në mesin e 100 më të mirave në botë.
 
Duke rrëfyer për paraqitjen e saj në Lojërat Olpimpike tha se nuk është e kënaqur me atë se çfarë ka arritur, mirëpo shtoi se dita e 29 korrikut ka qenë e pafat për të.
 
“E di që suksesi apo mossuksesi i lojërave olimpike nuk ka qenë rezultat që e kemi pritur. Ndoshta nuk ka qenë dita ime me fat, pasi nuk ka ndodhur asnjëherë që të humb nga një garuese që nuk është në nivelin tim, mirëpo e sic thashë më herët ka qenë ditë pa fat dhe përqëndrimi i pamjaftueshëm. Vetë prezenca në Lojërat Olimpike është ngarkesë psikike, sidomos kur është hera e parë dhe kur e di që presin dy shtete prej teje. Përkrahja ka qenë e madhe edhe në Shqipëri, ku edhe kryeministri Berisha më ka thënë se je personi që presim medale dhe krejt shqiptarët besojnë në ty”, tha Majlinda Kelmendi, Xhudiste.

Nga ana tjetër trajneri i saj, Driton Kuka ka thënë se të gjithë sportistët e mëdhenj bëjnë gabime ndonjë herë. Për ilustrim bëri një krahasim ndërmjet futbollistit Lionel Messit dhe Majlindës, duke thënë se edhe Messi sivjet në Ligën e Kampionëve humbi penalltinë dhe Barcelona u eliminua.
 
“Kemi pritur që do të kulmojë me një medalje sepse edhe shorti ka qenë shumë i volitshëm, mirëpo ndodhi ajo që askush s’e priste. Majlinda pësoi prej një garuese që nuk është as ndër 100 më të mirat edhe pse ishte duke udhëhequr vazari,  është sikur të udhëheqësh në futboll 5 me 0, por këto ndodhin, ne kemi arritur qëllimin. Qëllimi i parë ka qenë kualifikimi, e dyta të debutojë me fitore edhe pse kjo pak u cek nga mediat. Duhet të vlerësohet se në Lojërat Olimpike është arritur fitorja e parë e Kosovës edhe pse nën petkun kuq e zi. Qëllimi i tretë, medalja na mbetet ta fitojmë në olimpiadën e Rio De Janeiros”, tha trajneri i Kelmendit, Driton Kuka.

Ndërkohë, Ministri për Kulturë Rini dhe Sport, Memli Krasniqi tha se, pavarësisht mungeses së medaljes, pjesëmarrja e Majlindës është suksesi më i madh i sportit kosovar në këto dy dekadat e fundit. Krasniqi theksoi se, pavarësisht rezultatit të arritur Kosova do të vazhdojë ta përkrahë, siç tha ai, krenarinë e kombit shqiptar.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA