Egjipt, pritet shpallja e ekzekutivit

02/08/2012 08:55

Kabineti i ri i Egjiptit pritet të shpallet zyrtarisht dhe të betohet përpara presidentit Mohammed Mursi, që mori drejtimin e shtetit muajin e kaluar.

Raportet mediatike sugjerojnë se qeveria e kryeministrit të caktuar Hisham Qandil do të përbëhet kryesisht nga teknokratë, me të paktën dy ministra nga qeveria e kaluar dhe vetëm pakë islamikë.

Ish-udhëheqësi ushtarak Mohammed Hussein Tantawi pritet të bëhet ministër i Mbrojtjes. Qandil ka deklaruar se secili do të veprojë në bazë të kompetencave përkatëse.

Javën e kaluar ai tha se donte që të gjitha forcat politike dhe populli i Egjiptit të mbështesnin kabinetin në këtë “mision të vështirë”, që ka përpara sfida sociale dhe ekonomike.

Presidenti Mohammed Mursi është kritikuar disa herë për kohën e gjatë për caktimin e kryeministrit dhe për formimin e qeverisë, që kur mori detyrën në qershor.

Emërimi i tij për zotin Qandil, ministër në ikje i burimeve ujore, habiti shumë vëzhgues, që prisnin një figurë shumë më të njohur.

Ditën e mërkurë, mediat shtetërore raportuan se kryeministri ka zgjedhur si ministër të Jashtëm, Mohammed Kamal Amr dhe ministër të Financave, Mumtaz al Said, të cilët do të qëndrojnë kështu në postet e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA