Ish-trajneri i kampionëve Pirro Dhima, Luan Shabani e shumë të tjerëve, Ferit Berberi, ka akuzuar Federatën Shqiptare të Peshëngritjes për keqmenaxhimin e këtij sporti.
Sipas tij, euforia e medaljeve ka ndikuar për keq tek drejtuesit aktualë të cilët nuk po veprojnë siç duhet me sportistët.
“Peshëngritja i ka dhënë shumë sportit tonë, por vitet e fundit nuk ka strategji. Nuk ka punë shkencore dhe të studiuar për tu përgatitur për një event madhor si Lojërat Olimpike”, shprehet Berberi.
Si njohës i mirë i këtij sporti, Berberi shpjegoi dhe arsyet pse dështoi në Londër peshëngritësja jonë më e mirë për momentin Romela Begaj.
“Pati mungesë në teknikë në stilin e shkëputjes. Mbase ka ndikuar edhe rënia në peshë sepse edhe në shtytje vura re që nuk kishte forcë në këmbë për të ngritur shtangën”, shpjegon Berberi.
Bezhani: Dopingu, përgjegjësia e të gjithëve
Viron Bezhani, shefi i delegacionit olimpik shqiptar, theksoi në një deklaratë për Top Channel se përgjegjësia për çështjen e Hysen Pulakut është e të gjithëve.
“Përgjegjësi kemi të gjithë. Dopingu është një turp i madh për sportin tonë. Unë nuk do të hesht edhe pse kam presione nëpërmjet telefonave”, theksoi Bezhani.
Top Channel