" /> ">
“Amnisty International” paralajmëroi Shqipërinë për të pezulluar masat diskriminuese ndaj romëve. Përmes një deklarate, organizata për të Drejtat e Njeriut u shpreh e shqetësuar për shkelje të mundshme të të drejtës së familjeve rome për të fituar jetesën, të shkaktuara nga autoritetet lokale në Tiranë, që i ndaluan të mbledhin mbeturinat e riciklueshme.
“Prej kohësh kur kjo hyri në fuqi në muajin qershor, në fund të korrikut të paktën 92 individë u gjobitën për mbledhjen e mbeturinave, nga policia bashkiake e cila konfiskoi dhe mjetet e tyre dhe mbeturinat e mbledhura”, thuhet në deklaratën e organizatës.
Sipas saj, të paktën 700 familje rome që jetojnë në Tiranë kanë si burim të vetëm të të ardhurave, mbledhjen e mbeturinave, ndaj Amnesty International i konsideron veprimet e policisë, si diskriminin të pajustifikuar kundër romëve, sepse ky ndalim ndikon në mënyrë të pabarabartë tek ata, meqë asnjë grup apo individ, fitojnë jetesën përmes mbledhjes së mbeturinave.
Amnesty International thotë se beson se autoritetet duhet të konsultojnë dhe punojnë me të prekurit përfshirë romët dhe të vijnë me një zgjidhje që respekton të drejtat e dy grupeve, përfshirë dhe të drejtën e romëve për të fituar jetesën.
Organizata nuk konsideron se ndalimi i menjëhershëm i mbledhjes së mbeturinave të jetë mënyra e duhur për të adresuar situatën, sepse rezulton në një mohim të menjëhershëm të jetesës.
Organizata i kërkon autoriteteve të Tiranës, përfshirë dhe kreun e policisë bashkiake t’i përgjigjet rekomandimeve të Avokatit të Popullit.
Gjithashtu organizata i bën thirrje policisë për të ndaluar menjëherë veprimet kundër romëve, derisa të arrihet një zgjidhje dhe në vecanti t’i përmbahen përdorimit të dhunës, përfshirë atë ndaj fëmijëve sic raportohet nga anëtarët e familjeve rome dhe egjiptiane.
Hoxha sqarime tek Avokati i Popullit
Kreu i policisë bashkiake të Tiranës, Florenc Hoxha është paraqitur rreth orës 14 të së mërkurës para ekspertëve dhe komisionerëve të Avokatit të Popullit, për të sqaruar se mbi ç’bazë ligjore pengohen romët për të grumbulluar kanoçe nëpër kazanët e mbeturinave.
Kreu i policisë bashkiake, i denoncuar për ushtrim dhune ndaj komunitetit rom, e ka mohuar një gjë të tillë, ndërkohë që ka sqaruar se është në kompetencë të policisë bashkiake të ndërhyjë kur ndotet mjedisi nga kazanët, të cilët janë pronë e bashkisë.
Avokati i Popullit ka nisur një hetim administrativ lidhur me denoncimet e bëra nga komuniteti rom dhe shoqëria civile, sipas të cilëve policia bashkiake ka ndërhyrë me dhunë, deri në marrjen e kanoçeve në oborret e shtëpive të romëve.
Burime nga bashkia e Tiranës bëjnë të ditur se më herët Avokati i Popullit, Igli Totozani është takuar me kryetarin e bashkisë Lulzim Basha, takim që mesa duket ka mundësuar paraqitjen e Florenc Hoxhës në zyrat e institucionit të rëndësishëm civil.
Më herët gjatë muajit zyrtari i policisë kishte refuzuar disa herë letrat dhe kërkesat për t’u paraqitur dhe për të dhënë sqarime mbi këtë çështje.
Ndërsa kreu i këshilltarëve socialistë në këshillin bashkiak të kryeqytetit, Aldrin Dalipi akuzoi bashkinë për prapaskena mafioze në ngritjen e një monopoli që po merret me grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve.
Dalipi tha se janë mbi 30 mijë romë që mbijetojnë vetëm me mbeturinat dhe tashmë jeta e tyre do të bëhet edhe më e vështirë.
Top Channel