Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, deklaroi se garancitë e Shteteve të Bashkuara për ndërhyrje ushtarake nuk janë të mjaftueshme që Irani të heqë dorë nga arma bërthamore.
Netanjahu tha se iranianët besojnë se bashkësia ndërkombëtare nuk ka vullnetin për ta ndaluar Iranin. Ai u takua në Jeruzalem me Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Leon Pannetta.
“Ju deklaruat disa muaj më parë se kur gjithçka të dështojë, SHBA do të veprojë, por këto deklarata ende nuk i kanë bindur iranianet t’i japin fund programit të tyre. Deklaratat e forta nuk e kanë bindur Iranin se ne jemi seriozë dhe do të bëjmë gjithçka për t’i ndalur. Aktualisht, regjimi iranian beson se bashkesia ndërkombetare nuk ka vullnetin për të ndalur programin bërthamor. Kjo duhet të ndryshoje dhe duhet të ndryshojë shpejt, sepse koha për të zgjidhur këtë çështje në mënyre paqësore po mbaron”.
Panetta, gjatë turit një javor në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë Iranin të sigurojë armën bërthamore, një qëndrim i nënvizuar edhe të merkuren, por sipas tij ndërhyrja ushtarake duhet të mbetet mundësia e fundit.
“Nuk do të lejojmë që Irani të zhvillojë armën bërthamore dhe ne do të shterojme të gjitha mundësite, në përpjekje që kjo të mos ndodhë”.
Më herët, Panetta vizitoi “Iron Dome”, sistemin e mbrojtjes me raketa, në jug të Tel-Avivit, bashkë me ministrin izraelit të Mbrojtjes, Ehud Barak.
Ky i fundit tha se janë të pakta mundësite që sanksionet ekonomike të ndalojne Iranin. Vizita e Panettas në Izrael vjen pasi administrata Obama miratoi ndihmën ushtarake prej 70 milionë dollarësh, per zgjerimin e sistemit “Iron Dome”.
Ndërsa kandidati republikan, Mit Romney, gjatë vizitës në Izrael akuzoi administratën Obama se nuk po e mbeshtet sa duhet Izraelin.
Top Channel