I hidhur ishte verdikti i mediave amerikane për udhetimin jashtë vendit të kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë, Mit Romney, nga “pa ndikimin domethënës në Shtetet e Bashkuara” e deri tek “më mirë të ishte përqëndruar tek fushata në shtetet e lëkundur”.
Udhëtimi i tij 8 ditor në Britaninë e Madhe, Izrael dhe Poloni kishte si qëllim të llustronte imazhin e tij, por në të vërtetë media i’u referua vetëm gafave.
Në Britaninë e Madhe ai u kritikua nga media britanike kur vuri në pikëpyetje gatishmërinë e vendit për të pritur Lojërat Olimpike 2012.
Në ndalesën e dytë, shpalli Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, cka revoltoi shumë palestinezë por mbi të gjitha binte ndesh me qëndrimin e Uashingtonit, për të cilin përcaktimi i tij varet nga negociatat mes izraelitëve dhe palestinezëve.
U akuzua për racizëm kur në një konferencë donatorësh foli për dallimet kulturore që shpjegonin, sipas tij, pse ekonomia izraelite është shumë herë më e madhe se ajo e palestinezëve.
Por cfarë e kulmoi turin e tij ndërkombëtar ishte sjellja e papërshtatshme e zëdhënësit të tij në Poloni. Rik Gorka humbi toruan përballë gazetarëve amerikanë që kërkuan të pyesnin kandidatin republikan gjatë vizitës së tij në memoralian e Ushtarit të Panjohur në Varshavë, duke mos i lejuar ta pyesin për gafat gjatë udhëtimit jashtë Shteteve të Bashkuara. Ai shpejt kërkoi ndjesë.
Gjatë udhëtimit në Poloni, Mit Romni synoi të tërheqë polako-amerikanët dhe votuesit katolikë në Shtetet e Bashkuara.
Gjithashtu të nënvizojë qëndrimin e tij të prerë ndaj Rusisë, të cilën e cilësoi si armikun numër një të Amerikës në gjeopolitikë.
Të martën ai tha se “në Rusi avancimi dikur premtues drejt një shoqërie të lirë dhe të hapur ka ngecur”.
Ai vlerësoi lëvizjen solidarnos për rrëzimin e komunizmit, por lëvizja sindakale solidariteti u distancua prej saj, duke thenë se Mit Romni ka përkrahur sulmet kundër sindikatave në vendin e tij.
Top Channel