Milani dhe Juventusi janë vënë në kërkim intensiv për një qendërmbrojtës, pasi prapavija paraqitet për momentin reparti më problematik për të dy klubet.
Kuqezinjtë janë ende në kërkim të një futbollisti që të japë garanci për zëvendësimin e Thiago Silvës, ndërsa përballë pezullimit të mundshëm 3-vjeçar të Bonuccit për shitje ndeshjesh, edhe torinezët duhet të piketojnë dikë për të luajtur në këtë rol.
Prej disa ditësh, Milani është duke punuar për 21-vjeçarin e kampionëve të Francës, Montpellier, Yanga-Mbiwa.
Megjithatë, administratori i përgjithshëm i klubit, Adriano Galliani, anulloi një udhëtim të planifikuar për ditën e mërkurë, pas pretendimeve të tepruara të klubit francez.
Milani ka ofruar gjashtë milionë euro, ndërsa dy ditë më parë, presidenti i Montpellier, kërkoi 15-18 milionë euro për qendërmbrojtësin.
Për momentin, francezët duket se duan të fitojnë kohë, në mënyrë që të nisin një ankand për futbollistin e tyre, por Galliani ka bërë të qartë që skuadra e tij nuk do të përfshihet në këtë ankand dhe se gjashtë milionë euro është oferta përfundimtare.
Duket se Milani ka gjetur më parë një marrëveshje me Yanga-Mbiwa mbi bazën e 1,3 milionë eurove për katër sezone dhe me kontratën që skadon në 2013-n, Montpellier duket se nuk ka shumë hapësirë për të negociuar.
Përsa i përket Juventusit, janë tre emrat që qarkullojnë. Portugezi Bruno Alvesh është gjithmonë zgjedhja e preferuar, por në mungesë të tij, mund të rpanohet edhe Bochetti apo Danilo, mbrojtës i Udineses. Përsa i përket mesfushës, shumë pranë arritjes së një marrëveshje me torinezët është edhe Poli i Sampdorias.
Top Channel