
Novak Djokovic kërkon me çdo kusht të fitojë medaljen e artë në tenis në “Londër 2012” dhe me fitoren ndaj amerikanit Andy Roddick në raundin e dytë tregoi se është një nga kandidatët kryesorë për shkallën më të lartë të podiumit.
Në një intervistë me gazetën serbe ‘Danas’, Djokovic e cilësoi ndeshjen ndaj Roddick si më të mirën e tij në fushat me bar përsa i përket këtij viti, por shtoi se duhet të përmirësohet edhe më shumë për të arritur qëllimin kryesor.
“Dua të fitoj medaljen e artë për vete dhe për vendin tim sepse pjesëmarrja në Lojërat Olimpike ka si objektiv lumturimin e bashkëkombasve të tu”, deklaroi serbi, i cili ndeshjen e radhës do e ketë përballë australianit Leyton Hewitt.
Novak Djokovic, numri 2 i botës në tenisin botëror, është favoriti i dytë për medaljen e artë në Londër 2012 pas zviceranit Roger Federer, i cili disa javë më parë e mundi serbin në finalen e Uimbëlldonit, pikërisht në atë fushë ku do të luhet edhe finalja për medaljen e artë në Olimpiadë.
Top Channel