Mbi 300 persona janë vrarë në Irak gjatë muajit korrik, që konsiderohet edhe muaji më i përgjakshmë në dy vitet e fundit në vend.
Bilanci tragjik është bërë publik nga Ministria irakene e Shëndetësisë, e cila konkretisht flet për 325 të vdekur dhe rreth 700 të plagosur.
Sipas dikasterit zyrtar të Bagdadit, nga 325 viktimat 241 janë civilë, 44 ushtarë dhe 40 policë, të vrarë në zona të ndryshme të vendit.
Ndërkohë, dita me gjakderdhjen më të lartë mbahet 23 korriku me mbi 100 të vdekur në sulme të kryera në disa qytete të Irakut.
Episodet e dhunës kanë vënë në shënjestër në veçanti popullsinë shiite dhe autorësia e tyre është marrë përsipër nga Al Kaeda dhe fraksione të ndryshme sunite.
Duket se nuk ka më vend për deklaratat optimiste të bëra në vitet e fundit nga Pentagoni dhe departamente të tjera amerikane, se dhuna në Irak ka rënë ndjeshëm.
Top Channel