Bastet, Federata refuzon paktin me Conte-n

01/08/2012 17:40

Komisioni Disiplinor i Federatës Italiane të Futbollit hodhi poshtë kërkesën e prezantuar nga avokatët mbrojtës të trajnerit të Juventusit, Antonio Conte, për të bërë një pakt në lidhje me dënimin e tij për moskallëzim krimi.

Përballë provave të pakundërshtueshme, duket se Conte kishte dijeni për fiksimin e ndeshjeve Novara-Siena dhe Albinoleffe-Siena, në kohën kur drejtonte klubin sienez.

Ndonëse vetë trajneri nuk ishte i përfshirë në këto fiksime, në bazë të ligjit ai është fajtor që nuk denoncoi krimin në autoritetet përkatëse.

Përballë mundësisë së një dënimi 1-vjeçar, avokatët e Conte paraqitën në gjykatë ofërtën e tyre, një pakt në bazë të të cilit juventini do të pranonte tre muaj pezullim dhe një gjobë prej 200 mijë eurosh.

Megjithatë, në 16 personat fizikë apo juridikë të përfshirë në skandalin e ri të basteve në Itali dhe të trajtuar në çështjen e së mërkurës, Federata pranoi nëntë pakte, por hodhi poshtë shtatë të tjerë, midis të cilëve edhe atë të Antonio Contes dhe Sienës.

Nga ana e tyre, avokatët mbrojtës të trajnerit të kampionëve të Italisë informuan se janë të vendosur që të apelojnë çështjen, duke kërkuar njëkohësisht që ajo të gjykohet nga një grup tjetër gjykatësish.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA