Trajnimi i forcave irakene, 200 mln $ të shpërdoruar

31/07/2012 09:10

Një agjensi kontrolli në SHBA vlerësoi se është mbi 200 milionë dollarë shuma e shpërdoruar në programe të ndryshme për stërvitjen e forcave policore irakene, me problemet e sigurisë dhe mungesën e interesimit të Bagdadit zyrtar të renditur si shkaktarët kryesor të këtij dështimi.

Raporti kritik vjen vetëm një ditë pasi një tjetër raport vlerësoi se me qindra milionë dollarë janë shpërdoruar në projekte të pavlera infrastrukturore në Afganistan.

Në auditin e lëshuar nga Inspektori i Përgjithshëm për Rindërtimin e Irakut, Stuart Bowen, shkruhej se “mungesa e gatishmërisë për bashkëpunim dhe e kapaciteteve nga ana e forcave policore irakene, ka bërë që programi të ndeshet me shumë vështirësi”.

Megjithatë, pavarësisht shpërdorimit të dukshëm financiar, programi do të vazhdojë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që shpresojnë ende në përfundimin e tij të suksesshëm deri në vitin 2016.

Uashingtoni ka shpenzuar tetë miliardë dollarë për trajnimin e forcave të sigurisë në Irak, që prej vitit 2003.

Aktualisht, vendi arab është duke u përballur me një shpërthim të aktivitetit terrorist dhe luftës fetare, pasi tërheqja përfundimtare e trupave amerikane dhe aleatëve në dhjetor 2011 krijoi një vakum në siguri, nga e cila përfiduan organizatat fondamentaliste si “Al-Kaeda”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA