16-vjeçarja kineze që ka befasuar të gjithë botën me paraqitjet e saj të pabesueshme në sportin e notit, Ye Shiwen, mohoi kategorikisht se është ndihmuar nga dopingu për të arritur rezultatet e mrekullueshme në Londër 2012.
Deklarata e saj erdhi pasi një trajner amerikan e konsideroi paraqitjen e saj në 400 metra stil i përzjer si “të pamundur” dhe “shqetësuese”.
Ye vendosi rekordin botëror në këtë disiplinë duke notuar më shpejt se kurrë më parë në jetën e saj, ndërsa në 50 metrat e fundit notoi edhe më shpejt se fituesi i së njëjtës garë për meshkujt.
Në bazë të rregullores, të gjithë fituesit e medaljeve i nënshtrohen analizave për doping dhe adoleshentja rezultoi e pastër në këto analiza, por përsëri duket e çuditshme se si ajo përmirësoi kohën e saj më të mirë me pesë sekonda dhe theu rekordin me më shumë se një sekondë, duke notuar më shpejt edhe se kampioni i meshkujve.
”Rezultatet e mia janë vetëm fryt i një pune të palodhur dhe stërvitje veçanërisht intensive. Nuk do të pranoja kurrë të përdorja ndonjë susbtancë të ndaluar. Skuadra kineze është tërësisht e pastër”, deklaroi Shiwen në një intervistë.
Ndërkohë, shtypi kinez ka dalë në mbrojtje të notares, duke vlerësuar se krahasimi me 50 metrat e fundit të Lochtes, kampionit amerikan të meshkujve, është i pavlerë.
”Ye ishte pas kur mbeteshin edhe 100 metra garë dhe asaj iu desh të notonte në limitet e saj, në mënyrë që të fitonte garën. Ndërsa Lochte, në 50 metrat e fundit kishte një avantazh të madh dhe i mjaftonte të kontrollonte qetësisht garën”, deklaroi agjensia “Xinhua”.
Top Channel