Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, deklaroi se largimi i Bashar al-Assad nga pushteti është i afërt dhe i pashmangshëm, ndërsa kryengritësit janë duke fituar gjithmonë e më shumë terren në Siri.
Duke komentuar zhvillimet e fundit dhe betejën madhore urbane që po zhvillohet në qytetin e Alepos, dikur shtëpi e dy milionë banorëve, Panetta deklaroi në “CNN” se: “Assad duhet detyrimisht të largohet dhe ju garantoj se do të largohet. Vetëm atëherë mund të rikthehet stabiliteti në vend”.
Sipas Sekretarit të Mbrojtjes, pasi Presidenti i Sirisë të braktisë vendin, nuk do të jetë e vështirë që të rikthehet qetësia në vend.
”Mënyra më e mirë për të ruajtur qëndrueshmërinë është duke mbajtur një forcë të madhe ushtarake, policore e sigurie në vend, diçka të cilën Siria e ka. Rrëzimi i kësaj qeverie është thelbësor për të realizuar tranzicionin drejt një vendi demokratik”.
Duke vlerësuar hapat që SHBA mund të ndërmarrë, Panetta theksoi se tashmë Uashingtoni ka mësuar nga gabimet e tij në Irak.
”Është shumë e rëndësishme që të mos bëjmë të njëjtat gabime që bëri administrata Bush, e cila shpërbëu ushtrinë në Irak. Aq më tepër në vende me kapacitete kimike si Siria, është thelbësore që ushtria të mbetet në këmbë dhe të jetë një garant për paqen. Në rast të kundërt, ka shumë gjasa që organizata terroriste si Hezbollahu, të përvetësojnë arsenale të rëndësishëm me armë shkatërrimtare”, shtoi Panetta.
Top Channel