Gennaro Gattuso ka zbuluar se në dy muajt e fundit të sezonit të kaluar lojtarët e Milanit nuk respektonin rregullat dhe kjo ishte një nga arsyet që bindi veteranin e kuqezinjve të largohej nga klubi me të cilin fitoi gjithçka.
“U largova sepse nuk ndihesha mirë me shokët e skuadrës. Kam qenë për shumë kohë i dëmtuar dhe nuk kam qenë i pranishëm në dhomat e zhveshjes, por sëmundja e syve më bëri t’i shoh më qartë gjërat. Në 2-3 muajt e fundit kam parë të ndodhin gjëra që tek Milani nuk ndodhnin prej 13 vitesh”, shprehet mesfushori italian i Sionit të Zvicrës për ‘France Football’.
“Kur kishim stërvitje në 09.30, shumë prej lojtarëve vinin vetëm 10 minuta para dhe askush nuk thonte gjë. Unë vija 45 minuta para për tu përgatitur, ashtu si kam bërë gjatë gjithë karrierës sime tek Milani. Ose kur kishim për të ngrënë drekën kishte disa që vinin 15 minuta me vonesë. Rregullat nuk respektoheshin më”, shton futbollisti 35-vjeçar.
Gattuso thekson se edhe vetë ai nuk ishte më në gjendje të komandonte në dhomat e zhveshjes: “Nuk isha më ai Ringhio që kanë njohur të gjithë. Një situatë të tillë nuk e përballoja dot e për këtë arsye vendosa të largohem.”
Top Channel