Presidenti autoritar i Venezuelës, Hugo Chavez, udhëtoi në Brazil në atë që ishte vizita e tij e parë zyrtare në një vend të huaj që prej diagnostikimit me një tumor më shumë se një vit më parë.
Chavez udhëtoi për të marrë pjesë në një samit rajonal, gjatë së cilit Venezuela do të shndërrohet në një anëtare me të drejta të plota të grupit tregëtar “Mercosur”.
Përpara nisjes, 57-vjeçari përsëriti edhe një herë se është në rrugën e shërimit të plotë, ndërsa theksoi se do të jetë në gjendje të konkurrojë për një mandat të tretë në krye të shtetit në muajin tetor,
Chavez mbajti një profil të ulët gjatë kurimit, duke udhëtuar vetëm në Kubë, për arsye mjekësore.
Megjithatë, ndërsa fushata zgjedhore po bëhet gjithmonë e më e ndezur, presidenti në fuqi i ka shpeshtuar në mënyrë të dukshme daljet e tij publike.
Sipas sondazheve parazgjedhore, Chavez gëzon aktualisht një avantazh prej më shumë se 10% ndaj sfidantit të tij, Capriles.
Nën udhëheqjen e tij e 57-vjeçarit, Venezuela është përpjekur të ndjekë një program popullor të barazisë sociale, i kritikuar shpesh si një program tipik komunist.
Shtetëzimi i kompanive të naftës dhe politika e jashtme agresive e kanë shndërruar Chavez në një prej kritikëve kryesore ndërkombëtare të politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilën më parë e ka akuzuar edhe si shkaktare të tumorit të tij.
Megjithatë, Venezuela përballet me një nivel të lartë kriminaliteti dhe probleme serioze në respektimin e të drejtave të njeriut në vend, që kanë bërë që zërat kundërshtues të Chavez brenda vendit të shtohen.
Top Channel