E angazhuar për të përmbushur detyrimin ndaj klientëve të rregullt, për
një shërbim sa më cilësor, CEZ Shpërndarje ka vazhduar edhe këtë javë
fushatën për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme dhe ndërprerjen e
furnizimit me energji të klientëve debitorë.
Një element i ri i fushatës është se kompania e shpërndarjes ka vendosur të ndërpresë furnizimin e plotë të kabinave që janë 100% debitore, duke u hequr personave të papërgjegjshëm mundësinë për t’u rilidhur ilegalisht në rrjet.
Në një konferencë për shtyp javën që shkoi, drejtori i shpërndarjes për CEZ Shpëndarje, z.Admirim Lakra, theksoi se ekipe nga Departament i Humbjeve Joteknike dhe Departamenti i Arkëtimeve janë duke punuar në terren për mbledhjen e debisë dhe ndërprerjen e furnizimit për klientët debitorë.
I pyetur për zonat më problematike në lidhje me mospagimin për energjinë e konsumuar, Lakra thotë se zonat informale dhe ato rurale mbeten të vështira. Për t’ju ardhur në ndihmë klientëve debitorë, CEZ Shpërndarje ka krijuar skema lehtësuese për pagesën e debisë së akumuluar.
Në disa raste këto skema jo vetëm që janë injoruar, por debitorët janë konfliktuar me ekipet e CEZ Shpërndarje, siç ishte rasti në fshatin Mursi të Sarandës, ku banorët për më shumë se dy orë kanë mbajtur të bllokuar punonjësit e kompanisë.
Një tjetër rast i ngjashëm ka qenë ai i komunës Kolsh në Lezhë, ku pas ndërprerjes së furnizimit me energji të debitorëve, banorët e zonës, në mënyrë të paligjshme dhe jashtë standarteve të punës dhe sigurisë, kanë rilidhur kabinën me rrjetin e shpërndarjes, duke detyruar CEZ Shpërndarje që për arsye sigurie teknike të stakojë fiderin për këtë zonë.
Banorët në këtë komunë vazhdojnë të jenë pa energji, sepse refuzojnë të paguajnë për energjinë e konsumuar.
Në Kukës, një tjetër zonë problematike, ditën e enjte në darkë kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike u detyrua të stakonte për rreth 3 orë Nënstacionin Kukës, pasi klientë debitorë, të cilët protestonin për ndërprerjen e furnizimit me energji, kishin hyrë në mënyrë të dhunshme në nënstacionin elektrik, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe të punonjësve të CEZ Shpërndarje. E njëjta situatë u përsëritë edhe ditën e shtunë, ndërsa ditën e dielë arriti kulmin kur protestuesit thyen garthin rrethues dhe hynë në nënstacion, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe duke dëmtuar pronën private.
Edhe në Maqellarë, në rrethin e Dibrës, situata ishte e vështirë. Disa herë protestuesit kërcënuan të hynin me dhunë në nënstacion, por falë ndihmës së policisë dhe autoriteteve lokale u arrit një marrëveshje për pagesën e faturave të energjisë.
Lakra thekson se kundër fenomenit negativ të vjedhjeve të energjisë, CEZ Shpërndarje po përdor të gjitha mjetet që disponon, por këto perpjekje kërkojnë gjithashtu ndihmën e autoriteteve lokale dhe të organeve të rendit. E vërteta është se, shton drejtori i shpërndarjes për CEZ Shpërndarje, vjedhja dhe mospagesa e energjisë nuk dëmtojnë vetëm kompaninë, por edhe familjet shqiptare, biznesin privat si dhe autoritetet lokale.
Këto vjedhje ndikojnë drejtëpërdrejtë në cilësinë e shërbimit, planin e investimeve dhe te tarifat e energjisë. Lakra thekson se CEZ Shpërndarje garanton furnizimin me energji elektrike vetëm për ata konsumatorë të cilët paguajnë detyrimet e tyre financiare dhe është e vendosur të mos lejojë që konsumatorët të vjedhin apo mos paguajnë energjinë elektrike duke tejkaluar afatet kontraktuale. Punonjësit e kompanisë, në bashkëpunim me autoritetet vendore dhe policinë do të vazhdojnë të punojnë në të gjitha zonat problematike në të gjithë vendin për të bërë arkëtimet e debive të konsumatorëve debitorë. Të gjithë ata klientë debitorë që do të vazhdojnë të injorojnë detyrimet për pagesat e faturave të energjisë, do të kallëzohen nga kompania për ndjekje penale në Prokurori, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
Top Channel