Berlusconi thyen heshtjen: Një vit tranzicion

31/07/2012 14:55

Presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi, theu heshtjen e tij, ndërsa në një intervistë për “Milan Channel” komentoi lëvizjet e shumëkritikuara në merkato.

”Milani aktual, ndryshe nga sa e vlerësojnë shumë gazetarë, unë vazhdoj të besoj se është një ekip i fortë, me pesë kampionë të mëdhenj në sulm, që asnjë skuadër tjetër italiane nuk mund të rreshtojë. Ndihemi tepër të fortë dhe kam besim se në Itali do të jemi protagonistë. Besoj verbërisht tek një sezon i mirë i Milanit”, u shpreh ish-kryeministri.

Me sinqeritet, Berlusconi komentoi më pas gjendjen ekonomike, e cila “ka ndryshuar dhe nuk i lejon më klubet italiane të bëjnë blerje të çmendura apo të mbajnë futbollistë super të paguar. Milani nuk mund t’i lejonte më disa shpenzime, por kjo nuk do të thotë se po heqim dorë. Duam të ndërtojmë një model si ai i Barcelonës, që ndërtoi një ekip kampion duke u përqendruar tek të rinjtë”.

Në vazhdim të intervistës, numri një i klubit kuqezi prej më shumë se dy dekadash preku çështjen e nxehtë të shitjes së Ibrahimovic e Thiago Silva. “Nuk kishim si qëllim t’i shisnim, aq sa në një moment fillestar thamë jo. Paris SG vazhdoi presionin e tij dhe duhet t’iu rrëfej se në llogaritë tona, ndikoi shumë fakti që nga viti i ardhshëm UEFA do të zbatojë “fair-play” financiar. Zemra më ka qarë, por duhet të vepronim kështu. Kam besim se në sulm, ndonëse Ibra është një prej më të mëdhenjve në botë, nuk do ta ndiejmë shumë mungesën e tij. Ndryshe është situata në mbrojtje, ku Thiago ka krijuar një boshllëk, ndonëse besojmë shumë tek një i ri si Acerbi. Njëkohësisht, po punojmë për të afruar ndonjë futbollist, që do të jetë e vetmja blerje, pasi në të gjithë sektorët e tjerë ndihemi shumë të fortë”.

Berlusconi komentoi edhe zërat për një rikthim të mundshëm të Kakasë në Serinë A, në të njëjtën kohë që e cilësoi si të mundshëm një vit tranzicion. “Nuk e kam biseduar këtë argument asnjëherë me Gallianin apo drejtuesit e tjerë. Kaka ka mbetur në zemrat tona si futbollist dhe njeri. Nuk e mbyll kategorikisht këtë mundësi, por duhet të shohim se çfarë situatash mund të verifikohen. Edhe një herë përsëris se besoj që do të jemi konkurrues që në këtë sezon, por tifozët duhet të bëjnë durim, nëse nuk do të fitojmë një vit, e rëndësishme është që do të kthehemi tjetër, me një skuadër më të re dhe lojë të bazuar tek italianët”.

Në fund, ish-kryeministri foli edhe mbi mundësinë e përfolur të mbërritjes së investitorëve të huaj. “Do të ishte shumë mirë të kishte investitorë të huaj dhe nëse do të ketë, portat do të jenë të hapura, pasi në radhë të parë, gjithmonë ka qenë dhe do të jetë e mira e Milanit mbi të gjitha”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA