Gjatë takimit me kryeministrin Sali Berisha, ministrja e Jashtme e Qipros, Erato Kozakou Marcoullis, i kushtoi rëndësi vazhdimit të dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës.
Qipro mban presidencën e radhës të Bashkimit Europian dhe ministrja e Jashtme qipriote i tha kryeministrit Berisha se: “Në frymën e dialogut dhe bashkëpunimit, Brukseli pret të bëhen hapa substanciale në drejtim të 12 rekomandimeve”.
Sipas kryeministrit Berisha, ishte pikërisht kjo frymë që bëri të mundur reformën zgjedhore, miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar dhe tani, së fundmi edhe arritjen e draftit konsensusal për kufizimin e imunitetit për deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarët e tjerë të lartë.
Kryeministri tha gjithashtu se, për arritjen e një drafti të përbashkët, mazhoranca bëri të gjitha lëshimet dhe pranoi kërkesat e Partisë Socialiste.
Zoti Berisha u shpreh se: “Mbetet me shpresën se opozita do të pranojë miratimin e kufizimit të imunitetit më 6 gusht, si dhe të vazhdojë bashkëpunimin edhe për ligjet e tjera me shumicë të cilësuar”.
Ministrja e Jashtme e Qipros e siguroi kryeministrin Berisha se në takimet e saj do të inkurajojë opozitën për të vazhduar bashkëpunimin në frymën e dialogut politik, me qëllim arritjen e rezultateve të tjera të pritshme në kuadër të 12 rekomandimeve të Komisionit Europian.
Vizitën e saj në Tiranë, shefja e diplomacisë qipriote e nisi me një takim me homologun e saj shqiptar, Edmond Panariti. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, zonja Marcoullis tha se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor është një prej prioriteteve të kësaj presidence.
Top Channel