Me qindra milionë dollarë të taksapaguesve amerikanë janë shpërdoruar në projekte të manaxhuara keq për ndërtimin e infrastrukturës në Afganistan, shkruhej në një raport të paraqitur ditën e hënë përpara Kongresit.
John Sopko, instruktor i përgjithshëm për rindërtimin afgan, gjeti se “planifikimi, koordinimi dhe ekzekutimi i projekteve të ndryshme ka qenë përgjithësisht i dobët”.
Ai gjithashtu parashikoi se kostot për sigurinë do të rriten në periudhën afatshkurtër, ndërsa kompanitë private dorëzojnë punimet tek forcat afgane.
SHBA dhe koalicioni i NATO-s i drejtuar prej tyre do të tërhiqen përfundimisht nga vendi aziatik në vitin 2014.
Në raport gjithashtu shkruhej se disa punime janë vonuar dukshëm në afatet e tyre dhe ka pak gjasa që të përfundohen përpara tërheqjes së trupave ushtarake.
Problematike kanë qenë veçanërisht investimet e vitit 2011, ku në 400 milionë dollarë investime, shumica janë shpërdoruar për shkak të planifikimit të keq.
Midis investimeve më flagrante të keqmenaxhuara ishte edhe ai i ndërtimit të një baze për forcat policore vendase, e cila është e papërdorshme pasi nuk ka ujë dhe në vendin ku është ndërtuar, uji duhet të sillet nga shumë larg, prandaj bëhet shumë e kushtueshme të rregullohet projekti.
Shumë rrugë janë jashtë cilësisë së parashikuar, ndërsa ndërtesa të tëra nuk janë të përshtatshme për funksionet që janë parashikuar që të kryejnë.
Top Channel