
Njëra nga shpresat e Shqipërisë për të prekur një medalje në lojërat olimpike të Londrës 2012, u shua.
Xhudistja shqiptare nga Kosova, Majlinda Kelmendi, e cilësuar si pretendente për zonën e medaljeve, nuk mundi dot të kalojë kundërshtaren nga Mauritius, Christiane Legentil.
Kelmendi fitoi lehtësisht ndeshjen e parë ndaj kundërshtares finlandeze Jaana Sundberg, por sfida e dytë nuk rezultoi e tillë.
Një tjetër eleminim i befasishëm, ishte edhe ai i xhudistes rumune që mori medaljen e bronxtë në Pekin 2008, Andreea Chitu përballë sportistes 35-vjeçare belge, Ilse Heylen.
Të hënën në mesditë është radha e peshëngritëses Romela Begaj për të garuar. Ajo shihet si pretendente për të kapur zonën e medaljeve.
Ndërkohë, në ditën e parë të kësaj olimpiade kanë debutuar edhe sportistët shqiptarë. Notarja Noel Borshi në garën e 10 metrave stil flutur është renditur e treta nga fundi. Në garën e saj ajo ishte vetëm me dy notare të tjera dhe vetëm ato arriti të lërë pas, duke u renditur e 40-ta nga 42 notare.
Qitësi Arben Kucana, i cili garoi në pistoletë me ajër 10 metra, u rendit i 20-ti duke humbur shansin e kualifikimit.
Top Channel