Shevchenko lë futbollin, hyn në politikë

28/07/2012 21:30

Sulmuesi i kombëtares ukrainase, si dhe i klubeve Dynamo Kiev, Milan dhe Chelsea, Andry Shevchenko ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli dhe ambicjen për të filluar karrierën në politikë.

Ylli ukrainas, tani 35 vjeç, e bëri të ditur planin e tij përmes një deklarate për shtyp të shpërndarë nga klubi i tij Dynamo Kiev.

“Ky lajm mund të trondisë këdo, por e ardhmja ime nuk është më në futboll. Tani do të hyj në politikë”, ka njoftuar Sheva.

Ndeshjen e fundit me kombëtaren ai e luajti kundër Suedisë gjatë Euro 2012, të cilën e fitoi 2-1, ndërsa për herë të fundit luajti si zëvendësues me Anglinë në të njëjtin turne, pasi ekipi britanik kishte kaluar në avantazh 1-0.

Në nivel klubesh ai e bëri debutimin fillimisht me Dynamo Kiev në vitin 1994 dhe më vonë fitoi reputacionin e një prej sulmuesve më të rrezikshëm pasi u transferua tek Milan në vitin 1999.

Me klubin italian ai fitoi Ligën e Kampioneve në vitin 2003, kundër Juventus, pasi ktheu në gol penalltinë e fundit, një ndeshje kjo tepër e rëndësishme për karrierën e tij.

Në moshën 29-vjeçare Sheva nënshkroi një kontratë prej 30 milionë stërlinash me Chelsea-n e Jose Mourinho, por kaloi dy sezone të dobëta në Premier League para se të rikthehej tek Milan.

Që atëherë ai nuk ishte më në gjendje të kthehej në formën e sulmuesit fatal dhe pak më vonë nënshkroi një kontratë tjetër që e ktheu tek Dynamo Kiev, në gusht të vitit 2009.

Shevchenko ka qenë simboli i Ukrainës për më shumë se një dekadë dhe ka regjistruar një rekord kombëtar prej 48 golash.

Ai ishte kapiteni i kombëtares ukrainase në çerekfinalet e Kupës së Botës të vitit 2006 dhe fitoi Topin e Artë në vitin 2004, pasi u konsiderua si futbollisti evropian i vitit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA