Qeveria meksikane ka arritur një rezultat të rëndësishëm në luftën kundër karteleve të drogës, pasi ka arrestuar një prej bosëve më të rrezikshëm të narkotrafikut.
Në pranga ka përfunduar Mauricio Guizar Cardenas, i njohur ndryshe me pseudonimin “El Amarillo” dhe i konsideruar si shefi i kartelit famëkeq Los Zetas.
Në momentin e arrestimit personit në fjalë, i kapur në flagrancë në një hotel në lokalitetin jug-lindor të Pueblas, iu gjet një arsenal i vërtet armësh të rënda, mes të cilave granata dore dhe një raketahedhëse.
Cardenas operonte në shtetet Tabasko, Verakruz, Çiapas, Kampeçe dhe Kuintana Ro, pasi kishte marrë komandën rajonale të kartelit në vitin 2011.
Los Zetas është një prej grupeve kriminale më të rrezikshme dhe më të dhunshme në Meksikë, që kontrollon një pjesë të mirë të kalimit të drogës nga Kolumbia në Shtetet e Bashkuara.
Dikur pjesë e kartelit të madh të Sinaloas, me detyrë vrasjet dhe zhvatjet, grupi u shkëput duke kërkuar pjesën e tij në aktivitetet e narkotrafikut.
Një vit më parë ai u konsiderua si grupi më i dhunshëm në Meksikë nga agjencia strategjike amerikane “Stratfor”, për shkak të përdorimit të dhunës më shumë se kartelet e tjera.
Në tërësi dhuna e lidhur me trafikun e drogës në Meksikë ka shkaktuar rreth 50 mijë viktima që prej vitit 2006, kur presidenti i atëhershëm futi ushtrinë kundër karteleve.
Top Channel