Forcat siriane kanë mbajtur nën një sulm të rreptë nga toka dhe ajri rebelët e vendosur në disa zona të qytetit të Alepos.
Korrespondenti i BBC, Ian Pannell që ndodhet atje ka parë luftime të ashpra që janë shoqëruar me një numër të madh rebelësh të vrarë.
Rebelët e Ushtrisë Çlirimtare Siriane deklarojnë se i janë përgjigjur një ofensive të ushtrisë dhe kanë shkatërruar disa tanke, por kjo është e pamundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Vendet perëndimore kanë paralajmëruar ndërkohë për mundësitë e mëdha që në Alepo të regjistrohet një masakër masive, duke qenë edhe qyteti më i populluar i Sirisë.
Luftime janë regjistruar gjithashtu në qytetin perëndimor të Homsit, ku mediat shtetërore njoftuan se një numër i madh rebelësh ishin vrarë, si dhe në provincat e Hamas dhe Derasë.
Aktivistët deklaruan se tanket siriane nisën të lëviznin në jug-perëndim të qytetit të Alepos në orët e para të ditës së shtunë.
Ndërkohë, një varg i gjatë automjetesh me qindra familje në bord janë vënë re të largohen nga qyteti për t’i shpëtuar dhunës dhe përkeqësimit të situatës.
Rusia, një aleate e Sirisë, paralajmëroi për një “tragjedi” në Alepo, duke thënë se mbështetja perëndimore për rebelët sirianë do të çojë në më shumë gjakderdhje.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov deklaroi se nuk mund të pritet që qeveria siriane të rrijë duarkryq kur rebelët po pushtojnë Alepon dhe zona të tjera.
“Perëndimi dhe fqinjët e Sirisë po inkurajojnë rebelët duke i mbështetur dhe duke drejtuar një luftë të armatosur kundër regjimit”, nënvizoi shefi i diplomacisë ruse.
Më tej, zoti Lavrov hodhi poshtë spekulimet se Moska do t’i ofrojë azil zotit Assad nëse ai vendos të lërë Sirinë. “E kemi thënë më shumë se njëherë publikisht, se ne asqë po e mendojmë një gjë të tillë”, tha Lavrov.
Top Channel