Rusia është në përpjekje për të ringritur perandorinë detare që zotëronte në kohën e Bashkimit Sovjetik, me baza detare në Vietnam dhe Siri.
Zv/admirali i Marinës ruse, Viktor Cirkov deklaroi se Moska po shqyrton mundësinë e ngritjes së bazave detare në Kubë, Vietnam dhe Siri. Kjo e fundit është e vetmja bazë detare ushtarake funksionale jashtë ujërave territoriale ruse.
E në kuadër të këtij “pushtimi” presidenti rus, Vladimir Putin do të presë në Moskë në javët në vijim presidentin e Vietnamit, Truong Tan Sang, ndërsa disa javë më parë zhvilloi një takim me homologun kuban, Raul Castro.
Detaje e bisedimeve nuk janë bërë publike, por mësohet se Rusia i ka kërkuar Kubës ngritjen e një baze ushtarake detare në territorin e saj, po ashtu një kërkesë e tillë do të shkojë edhe drejt autoriteteve vietnameze.
Sa i përket bazës detare ushtarake në Siri ajo duket se do të kushtëzohet nga zhvillimet e mëtejshme në vendin e përfshirë nga lufta civile. Nëse opozita e armatosur arrin të përmbysë regjimin e Assad, atëherë do të jetë e vështirë që pushteti i ri të pranojë një bazë ruse në territorin e tij, nisur edhe nga mbështetja aktuale e Moskës për Assad-in.
Top Channel